27 nëntor 2015 – Vijon aksioni i policisë dhe i agjentëve të antidrogës në kapjen e anëtarëve të rrjetit më të madh të heroinës dhe të kokainës në Tiranë. Dje në mbrëmje janë arrestuar edhe 2 persona të tjetër që kishin lidhje me 26 të prangosurit e 18 nëntorit. Operacioni i koduar “Epilog 2”, vazhdimi i operacionit “Epilog”, u realizua në bazë të informacione të marra në rrugë operative, duke arrestuar në flagrancë 40-vjeçarin Pjerin Gjeçaj dhe bashkëjetuesen e tij Brikena Frakulli.

Rreth 50 gramë heroinë ishte sasia e drogës së sekuestruan nga agjentët e antidrogës, të cilët e gjetën atë në dy vende të ndryshme. 30 gramë u gjendën në makinë e Gjeçajt, e cila ishte bërë gati për shitje, ndërsa pjesa tjetër u gjet në banesën e tyre te “Poligrafiku”, pranë zonës së “Ali Demit”. Sipas raporteve të vëzhgimit, rezulton se Gjeçaj, ua shiste lëndën narkotike konsumuesve, kundrejt shumës prej 1.500 lekësh për çdo dozë (0.3 gram). Përgjimet kanë zbuluar se Brikena Frakulli ishte bashkëpunëtorja e Gjeçajt në shpërndarjen e lëndëve narkotike, shkruan “Shekulli”.

Çifti kishte mundur t’i shpëtonte rrjetës së policisë gjatë megaoperacionit të zhvilluar “Epilog”, rreth 10 ditë më parë, ku, me dy arrestimet e djeshme ka shkuar në 28 persona numri i të prangosurve. Sipas policisë, Pjerin Gjeçaj ka qenë edhe më parë i arrestuar po për të njëjtën vepër penale.

/portali DurresLajm/