Vazhdon fluksi i emigrantëve që kthehen në atdhe përmes portit të Durrësit. Në ditën e Krishtlindjes, afro 3000 pasagjerë mbërritën mëngjesin e sotëm në Durrës me 4 tragete që u nisën nga portet italiane.
Autoritetet portuale kanë shtuar sportelet dhe numrin e punonjësve për të përballuar fluksin e udhëtarëve gjatë festave, i cili pritet të zgjasë deri në prag të ndërrimit të viteve.
Për festat, kompanitë e lundrimit në këtë qytet bregdetar po funksionojnë me 6 tragete. Autoriteti Portual në bashkëpunim me degën e doganës dhe Policinë Kufitare kanë rritur numrin e sporteleve në shërbim të pasagjerëve.
Emigrantët shprehen për kamerën e “DurrësLajm” të kënaqur me mbarëvajtjen e udhëtimit dhe kushteve në traget. Të kënaqur po ashtu shprehen edhe për masat e ndërmarra në portin e Durrësit, krahasuar me ato italiane, për të përballuar fluksin e madh.