Policia Bashkiake e Durrësit në bashkëpunim me Ndërmarrjen Rruga, ka vazhduar punën për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga qytetarë të ndryshëm, të cilët bëjnë rrethime me kunja hekuri, zinxhirë, kangjella apo me platforma betoni, për t’i përdorur apo improvizuar parkingje private në prona publike në mënyrë të paligjshme.

Aksioni i radhës është mbajtur këtë të hënë në lagjen nr. 3, te rruga “Ramazan Jella”.

Në një prononcim për “DurrësLajm”, drejtori i Policisë Bashkiake, Vasip Çopa, thotë se toleranca është dhe do të jetë gjithmonë 0 për hapësirat publike.

Policia Bashkiake është në shërbim të qytetarëve të saj dhe për t’iu ardhur në ndihmë në rast të ankesave dhe shqetësimeve që ata kanë, si dhe kur konstatojnë shkelje të ligjit, të telefonojnë sallën operative të Policisë Bashkiake ose të paraqiten vetë pranë zyrave të këtij institucioni.