Ndalesa e radhës e iniciativës “Fëmijë të shëndetshëm”, e nisur një javë më parë nga Klubi Rotarian Durrës, në bashkëpunim me bashkinë dhe Zyrën Vendore Arsimore, ishte shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto”. Fëmijët e klasave IV-V iu nënshtruan ekzaminimeve “screening” nga fizioterapisti Faton Daci. Në prononcimin për “DurrësLajm”, mjeku Daci tha se ekzaminimet mjekësore të bëra një javë më parë tek shkolla “Jan Kukuzeli” evidentuan një numër të madh fëmijësh me probleme me skoliozën.

“Tek shkolla “Jan Kukuzeli” ishte një shifër e frikshme përsa i përket posturës së keqe tek nxënësit. Nga 29 fëmijë të ekzaminuar, 24-25 ishin me probleme posturale. Do të bëjmë një krahasim edhe me shifrat e shkollës “Naim Babameto” dhe më pas do të shohim si do të veprojmë”,- tha fizioterapisti Daci.

E pranishme sot gjatë ekzaminimit të nxënësve ishte edhe deputetja Klodiana Spahiu, mjeke në profesion, e cila falenderoi Klubin Rotarian për nismën e ndërmarrë, pasi evidentimi dhe trajtimi i sëmundjeve që në fazat e hershme, janë një garanci më shumë për të evituar problemet shëndetësore në të ardhmen.

Për drejtorin e shkollës Xhevdet Hoxholli, nisma vlen për t’u përshëndetur, sepse shumë nxënës kanë shqetësime të tilla, por nuk janë ekzaminuar tek mjekët specialistë.

Në Ditën Botërore të Shëndetit, Klubi Rotarian Durrës, në bashkëpunim me bashkinë, startoi nismën “Fëmijë të shëndetshëm”, që do të shtrihet në të gjitha shkollat e qytetit.

Iniciativa konsiston në evidentimin e fëmijëve të moshës 12-13 vjeç, që kanë nisur të shfaqin shenjat e para të skoliozës.

Shumica e rasteve me skoliozë në moshë të mitur përmirësohen me program të personalizuar ushtrimesh, që mund të realizohen në shtëpi. Pikërisht për këtë arsye, evidentimi i shfaqjes së sëmundjes që në fillim dhe trajtimi i menjëhershëm i saj është shumë i rëndësishëm.

M.B.