Prej dy javësh, një grup sipërmarrësish durrsakë vazhdojnë nismën e tyre të përbashkët për t’iu ardhur në ndihmë kategorive më vulnerabël në qytetin e Durrësit, duke shpërndarë bukë falas në zonat më të varfra.

Për një javë radhazi kanë shpërndarë nga 200 bukë në ditë, ndërsa këtë javë nga 300 bukë në ditë në këto vende: Nishtulla; Currila; komuniteti i banorëve pranë kolaudimit të makinave dhe mbrapa spitalit rajonal, zona këto që ishin ndalesë edhe e ditës së sotme.

Në këto ditë të vështira, të krijuara prej pandemisë së koronavirusit, kategoritë më në nevojë po i vuajnë në kurriz pasojat e masave drastike të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Për këtë arsye, biznesmeni Adrian Reçi, administrator i kompanisë Italinoks Shqipëria, së bashku me një grup biznesmenësh durrsakë ndërmori nismën për të shpërndarë bukë falas, për ata që nuk kanë mundësi të kryejnë aktivitetin e tyre të përditshëm, që u mundësonte mbijetesën.

Emrat e biznesmenëve durrsakë që janë bërë bashkë në këtë nismë:

Adrian Reci, Neritan Golja, Ilir Myshketa, Julian Berxulli, Ilir Xhani, Mir Bicaku,  Llazar Tati, Orges Mullai, Julian Guce, Edison Sulejmani, Adnan Quku, Eli Baxheri, Arjan Gjyzeli, Edi Nallbani – Servis Horeka, Jonadri Prodani, Hamza Xhakoni, Artur Bujari, Sokol Kallogjeri, Kico Delijorgji, Edlir Hoxha, Ilir Ferri, Greta Bilali dhe Gëzim Serenai.