20 korrik 2015 – Vërtet mori fund udhëtimi i pasagjerëve që u bllokuan në tragetin e linjës Ankona-Durrës, por nuk ka përfunduar ende kjo ‘aventurë’ e tejzgjatur e dhjetërave kamionëve dhe shoferëve që ndodhen të imbarkuar në tragetin e prishur.
Që prej orës 17:00 të ditës së shtunë, rreth 70-75 shoferë kamionësh së bashku me mjetet e transportit me tonazh të rëndë, ndodhen ende në portin e Ankonas.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah” mëson se trageti ‘Marina’ i kompanisë ‘Adria Ferries’ ka tentuar dhe mbrëmjen e kaluar rreth orës 24:00 për t’u nisur drejt brigjeve shqiptare, por sërish ndodhi e njëjta gjë. Trageti pësoi një tjetër defekt dhe mbeti përsëri në ‘vend numëro’.
Pritet që edhe gjatë ditës së sotme, rreth orës 12:00 të së hënës, për herë të tretë trageti të niset në drejtim të Portit të Durrësit.
Nuk dihet se kur dhe si do të marrë fund udhëtimi i këtij trageti, të cilit defektet teknike nuk po i ‘shqiten’. Në të presin me ankth dhe të rraskapitur prej më shumë se 40 orësh dhjetëra kamionistë shqiptarë. Ankthi dhe frika e tyre shtohet kur shohin inisiativat e drejtuesve të tragetit që tentojnë të nisen, dhe ndodh e njëjta gjë pa u nisur mirë.
Urojmë që të merren të gjithë masat e duhura për të garantuar sigurinë maksimale, që kjo situatë të mos përsëritet në mes të detit dhe ‘aventura’ të përfundojë me sukses dhe të gjithë të mbërrijnë shëndoshë e mirë.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





