8 maj 2015 – Futbolli më fair-play gjatë periudhës 1 Maj 2014-30 Prill 2015 është luajtur në Holandë, Angli dhe Republikën e Irlandës. UEFA ka publikuar renditjen e federatëve ku është luajtur futbolli më i ndershëm gjatë 12 muajve të fundit në Europë dhe në këtë klasifikim special Shqipëria pozicionohet në vendin e 48-të me 7348 pikë, duke lënë pas vetëm 6 federata. 

Pas Shqipërisë pozicionohen vetëm Armenia, Gjibraltari, Lihtenshtejni, Luksenburgu, San Marino dhe Andorra. 38 janë ndeshjet e marra në konsideratë për Shqipërinë nga UEFA.
Duke u bazuar te kriteret që merr parasysh qeveria europiane e futbollit për këtë lloj vlerësimi si: loja pozitive, respekti për kundërshtarin, sjellja e tifozëve etj, i çuditshëm mund të konsiderohet klasifikimi i Serbisë që pozicionohet që në vendin e 34. Klasifikimin e kanë kontestuar ashpër edhe mediat italiane, sipas të cilave, UEFA ka harruar trazirat që shkaktuan tifozët e Feyenoordit në Romë duke vlerësuar Holandën si federatën më fair-play. Tre federatat që pozicionohen në tre vendet e para në formë shpërblimi do të kenë mundësi të dërgojnë në Europa League një skuadër më shumë sezonin e ardhshëm.

 

Agjencia e lajmeve "Dyrrah"