* Rritet konsumi i ujit të pijshëm

* Këshilla e mjekut: kujdes foshnjet dhe të moshuarit

24 korrik 2015 – Temperaturat e larta të ajrit do të shoqërojnë rajonin e Durrësit edhe gjatë ditës së premte, ndërsa e njëjta situatë meteorologjike parashikohet edhe ditët në vazhdim.

Një pjesë e qytetarëve durrsakë i kanë kaluar mbrëmjet e fundit deri në mesnatë në shezlonet e plazhit për t’iu larguar sadopak zagushisë mbytëse në qytet.

Ndërkaq, nga një vëzhgim i kryer në disa supermarkete, sasitë e ujit që shiten në 24 orë janë 20-35 përqind më të larta sesa në ditët normale. Edhe mungesa e ujit në rubineta në shumë raste lidhet me konsumin e shtuar të ujit në familje dhe biznese gjatë ditëve me temperatura deri në 40 gradë, të pazakonta për zonat bregdetare.

Mjekët këshillojnë kujdes të shtuar për të moshuarit, të cilët duhet të mbajnë kapele të bardha të lagur edhe me ujë, duke shëtitur vetëm në mbrëmje. Ndërsa për të vegjëlit këshillat lidhen me konsumin e shtuar të lëngjeve, ushqimet e lehta të cilat jepen nga pak, shumë herë në ditë dhe veshjet e lehta gjithashtu.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/