TIRANE, 17 mars 2013- Dantroleni është i vetmi antidot për krizën e hipertermisë malinje. Kjo ishte përgjigjia e mbërritur nga Qendra për studimin e hipertermisë malinje në Napoli, në institucionin e Avokatit të Popullit, pas pyetjeve të këtij të fundit për mënyrën se si trajtohet kjo sëmundje, nisur nga kërkesa e prindërve të Denis Almadhit, 11-vjeçarit i cili ndërroi jetë në muajin nëntor të vitit 2012 nga hipertemia malinje.
Pas mbërritjes se përgjigjes, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Prokurorisë së Tiranës që të marrë për bazë gjatë hetimit dokumentet e mbërritura nga Italia, ku shpjegohet mënyra e trajtimit si dhe direktivat për menaxhimin e hipertermisë malinje, si në Itali ashtu dhe në Europë. Gjithashtu me insistimin e familjes Almadhi, Avokati i Popullit i ka kërkuar Prokurorisë që për rastin e 11-vjeçarit të kryhet një ekspertizë ndërkombëtare.
Familja e Denisti dhe përfaqësuesi i saj ligjor, doktor Muhamet Hito, pas takimit të zhvilluar në institucionin e Avokatit të Popullit u shprehen se: “Na gëzoi në kuptimin e mirë të fjalës, të punës që bën Avokati i Popullit. Eshtë një material që Avokati i Popullit na dorëzoi nga shoqata italiane e hipertermisë malinje. Kërkojmë me insistim që Prokurori i Përgjithshëm të urdhërojë që ekspertiza të bëhet nga njerëz kompetentë, profesionalë. Kjo bëhet vetëm në Institutin Shkencor të Bazelit në Zvicër.”- u shpreh zoti Hito.
“Nuk do rreshtim së kërkuari të vërtetën, kemi kërkuar dhe ekspertizë ndërkombëtare. ” – u shpreh Fatmir Almadhi, babai i viktimës.
Në përgjigjen e mbërritur nga Italia citohet revista Britanike e Anestezisë, ku Dantroleni konsiderohet si guri i themelit të suksesit të trajtimit të hipertermisë malinje. Dantroleni nuk është i disponueshëm në shumë institucione në vendet e Europës lindore dhe në shumë rajone në botë për shkak të çmimit të tij, duke bërë që në këto zona të rritet rreziku i vdekjeve nga hipertermia malinje.
Lidokaina përdoret si element për të rregulluar aritmitë e shkaktuara nga hipertemia malinje dhe jo si zëvendësues i Dantrolenit. Perdorimi i Lidokainës si alternativë e Dantrolenit ishte një prej argumenteve më të fortë që institucionet shqiptare përgjegjëse përdorën si justifikim për trajtimin e Denisit.
Në përgjigje shkruhet se për trajtimin e hipertermisë malinje është e nevojshme një dozë mesatare baras me 2.5mg/ kg, deri në një dozazh total deri në 10 mg/kg. Për një person që peshon 70 kg do duheshin 36 flakonë , ndërsa për 11-vjeçarin do të duhej me pak. 12 flakonë kanë një çmim prej 690 eurosh në Itali, ndërsa 36 flakone 2000 euro. Prevalenca e e hipertemisë malinje mund të vlerësohet në rreth 1:3000. Pavarësisht paralajmërimit të Ministrisë së Shëndetësisë për furnizimin me Dantrolen, spitalet shqiptare ende nuk janë pajisur me këtë medikament të domosdoshëm për trajtimin e hipertermisë malinje.
/s.k.BalkanWeb/





