Tiranë, 10 qershor 2014  – Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë ku humbi jetën 23-vjeçarja, Iris Belba. Mësohet se e reja që u vetëflijua, duke u hedhur nga kati i 16-të i “Sky Tower” në zonën e Bllokut, kishte probleme familjare, të cilat dyshohet se e kanë shtyrë drejt aktit të rëndë. Ndërkohë disa media të tjera raportojnë se dëshpërimi për mbetjen në një provim mund ta ketë shtyrë vajzën e re të vethidhet.

23-vjeçarja, studente e Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë gjeti vdekjen duke u hedhur nga kati i fundit i Sky Tower, në rrethana misterioze.

Viktima Iris Belba gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që ngjarja e shënuar rreth orës 14:00 tmerroi qytetarët e shumtë.

Rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja janë shumë të paqarta. Sipas infomacioneve të para, viktima ka qenë vetëm në momentin që ka ndodhur tragjedia. Sipas dëshmive por edhe burimeve policore 23-vjeçarja është hedhur nga pjesa e lokalit të godinës që është në pronësi të deputetit socialist Vladimir Kosta.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes thanë se para përplasjes fatale me trotuarin, 23-vjeçarja gjatë rënies është përplasur me një shtyllë të ndriçimit. Trupi i viktimës ka qëndruar për më shumë se 30 minuta para ndërtesës së Sky Tower, në pritje të ekzaminimeve mjekësore.

Paraprakisht burime policore thanë se ngjarja mund të jetë edhe aksidentale, por nuk përjashtohen as pista të tjera. Ndërkohë janë sekuestruar pamjet filmike të godinës në përpjekje për të zbardhur ngjarjen ku humbi jetën 23 vjecarja Iris Belba.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/