AQUILA – Vdekja e një vajze të re italiane në një aksident rrugor në Aquila, ka pasur jehonë të madhe gjatë ditës së sotme në mediat e vendit fqinjë. Kjo për faktin se vdekja e 25 vjeçares Maria Elena Petruccioli u shkaktua, kur makina e saj u përplas me atë të dy hajdutëve shqiptarë, të cilët pasi i kishin vjedhur 50 euro një të moshuari, po tentonin t’i shpëtonin arrestimit. Nga incidenti tragjik humbi jetën përveç vajzës së re dhe një 28 vjeçar shqiptar me iniciale M.M, ndërkohë që bashkëpunëtori i tij me iniciale D.V mbeti i plagosur rëndë dhe është në gjendje kritike për jetën në spitalin e Spoletos.

Vdekja e vajzës së re ka nxitur reagime të ashpra në blogjet italiane apo komentet në faqet online të të përditshmeve apo portaleve të vendit fqinjë, të cilat informojnë mbi vdekjen e Petrucciolit. Në një prej tyre, www.oggi.it, komentet janë mjaft ofenduese dhe rraciste ndaj shqiptarëve, pasi komentuesit flasin për “dënim me vdekje në dhomat me gaz, ose punë të detyruar dhe vakt ushqimor vetëm një herë në ditë për këta keqbërës”. Ndërsa në një tjetër koment ata cilësohen “jashtëqitje njerëzore”, ndërsa ngrihet dyshimi edhe për drejtësinë e korruptuar italiane, nëse do të jetë në gjendje të japë dënimin e merituar për këta kriminelë. Komentet rraciste të këtij lloji të kujtojnë kohët kur në Itali, shqiptarët etiketoheshin si kriminelë dhe njerëz ordinerë.

Ndërsa në vendin fqinjë komentet ndaj shqiptarëve kanë qenë mjaft ofenduese mjafton të kujtojmë se pikërisht një javë më parë një shqiptar u ofendua dhe u rrah për vdekje nga një 18 vjeçar italian, dhe 4 ditë më pas humbi jetën. Madje i riu italian nuk u mjaftua me kaq, por shkroi në profilin e tij në Facebook, se do të kishte dashur ta vriste shqiptarin Artan Meta. Por në këtë rast në profilin e hapur në Facebook për 45 vjeçarin shqiptar nuk pati komente ofenduese, por më tepër mesazhe keqardhje për humbjen e një njeriu për të cilin gëzonte respekt një komunitet i tërë. Janë dy raste shumë të ngjashme njëra me tjetrën, por reagimet janë krej të kundërta.  

Aksidenti i një nate më parë u regjistrua në kilometrin e 12-të në aksin rrugor mes Ternit dhe Spoletos në Itali. 

Makina me të cilën udhëtonte Maria Elena Petruccioli, 25 vjeç u përplas me makinën e 2 grabitësve shqiptarë të cilët ndiqeshin nga policia, pas një vjedhje që kishin kryer në rajonin e Aquilas. 

Sipas policisë italiane, makina tip Ford Fiesta me në bord dy shqiptarët për shkak të shpejtësisë së madhe përfundoi në korsinë e gabuar në autostradë duke u përplasur me makinën SS3 Flaminia e 25 vjeçares, e cila ishte duke u kthyer në shtëpi. Aksidenti i kushtoi jetën të resë italaine dhe njërit prej grabitësve shqiptarë.