28-vjeçari Besnik Kokonozi ndërroi jetë dy ditë më parë në Përrenjas në rrethana të paqarta, pasi u paraqit në spital me shenja gripi e temperaturë të lartë.

Mjeku i spitali të Librazhdit, Bashkim Vasku, i cili kishte në dorë rastin e të riut, tha për “News24” se ai ishte paraqitur me skuqje fyti dhe temperaturë 39, dhe se iu dha një medikament e më pas kishte ikur në shtëpi.

“Rasti u paraqit në orën 19:15 me skuqje të fytit me temperaturë 39. Aplikuam një medikament për rënien e temperaturës. Më pas u njoftuam se gjendja ishte rënduar dhe konstatuam që ka ndërruar jetë. Përveç asaj skuqjes që pamë dhe gjendjes virale duhet të ketë patur ndonjë problem tjetër. Nuk konstatuam gjë tjetër nga ai. Temperatura i ra dhe në orën 12:00 i filloi prap. Nuk e di në i mori mjekimet që mori apo jo, por që për temperaturën do ketë përdorur. Do të ketë pasur komplikacion, është rasti i rrallë por ne nuk konstatuam gjë tjetër. Ishte një skuqje e fytit dhe temperaturë 39, kaq. Si gjendje ishte mirë por virozë kishte, jo grip.”