Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka reaguar pas rastit të vdekjes së 3-vjeçarit, pas ndërhyrjes që bëri nga Roland Xhaxho.

Urdhri i Stomatologëve ka kërkuar të gjitha të dhënat e mjekimit të aplikuara ndaj Brian Spahiut.

Po ashtu, USSH thekson se nuk ka ende dijeni për emrin e stomatologut që ka kryer ndërhyrjen dentare të vogëlushit dhe është e pashpjegueshme kjo mungesë e emrit të stomatologut kurues.

Njoftimi i Plotë:

Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë kërkon publikisht e zyrtarisht nga stomatologu që ka kryer mjekimin dentar, të gjitha të dhënat e mjekimit, perfshirë protokollin e mjekimit që është aplikuar për vogëlushin e ndjerë Brian Spahiu, grafitë para e pas mjekimit etj, sipas kërkesave të Komisionit Disiplinor që është ngritur posaçërisht për këtë çështje. Stomatologu kurues të sigurojë urgjentisht kontaktet me sekretarinë e Rajonit të USSH Tiranë.

Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë nuk ka ende dijeni për emrin e stomatologut që ka kryer ndërhyrjen dentare të vogëlushit dhe është e pashpjegushme dhe penalizuese kjo mungesë e emrit të stomatologut kurues, mosprezenca në media edhe mosparqitja në zyrat e Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë.

Deri tani Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka ndjekur me tepër vëmendje reanimatorin Prof.Xhaxho, për të cilin nuk kemi asnjë koment, por për Prof.Xhaxho do të ishte tepër e domosdoshme, ligjore, etike dhe korrekte që në daljen e tij mediatike të ishte sëbashku me stomatologun që bëri mjekimin si në çdo rast tjetër të ngjashëm e simetrik. Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka tagrin ligjor e statutor të informohet imtësisht nga stomatologu që ka kryer ndërhyrjen dentare, ndërkohë që akoma s’ka një emër konkret.