TIRANE, 10 mars 2013– Avokati i Popullit Igli Totozani ka vizituar sot familjen rome në Shkozë të Tiranës, e cila humbi fëmijën e saj 3-vjeçar.

Në fjalën e tij, Totozani është shprehur se institucioni i Avokatit të Popullit është duke pritur autopsinë e fëmijës që humbi jetën për të vërtetuar edhe shkaqet e vdekjes së tij. Gjithashtu ai ka kërkuar ndryshim të sistemit social dhe ndihmmë për njerëzit në nevojë.

“Ngushëlloj familjen e cila humbi fëmijën e vogël 3-vjeçar.Presim rezultatet e autopsisë së fëmijës që humbi jetën. Duhet të ndryshohet sistemi social dhe të ndihmohen njerëzit më në nevojë. Romët jetojnë në kushte aspak dinjitoze, janë pa shpresë dhe pa asnjë ndihmë” theksoi Totozani.

Ndërkohë 3-vjeçari rom ka ndërruar jetë ditë më parë ndërsa ende nuk janë sqaruar arsyet e vdekjes së tij.

 

Familja jeton në një barakë kartonësh

Tiranë – Një foshnje ende pa mbushur muajin ka gjetur vdekjen mëngjesin e kësaj të marte, pasi nuk ka mundur që të përballojë temperaturat e ulëta. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në periferi të Tiranës, në zonën e quajtur Shkozë të Tiranës, ku familja Berati është strehuar në një barake. Prindërit e vogëlushit thonë se fëmija i tyre nuk ka pasur probleme shëndetësore pas lindjes. Shqetësimet ata i kishin vënë re disa ditë më parë, kur Kleo Berati dukej i pafuqishëm dhe zërin e kishte të mekur. Pavarësisht kësaj, prindërit menduan se kjo do ishte kalimtare. Por mëngjesin e së martës, nëna e tij, Kozeta Berati, vuri re që gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Fëmija nuk reagonte dhe gjymtyrët i kishte të ngrira. Gjithashtu tek hundët kishte pësuar hemorragji. Bashkëshorti i saj, Ferdinandi tentoi që ta qetësonte por ishte e kotë. “Kur e pashë tim bir në atë gjendje, më iku truri. Kërkoja që me çdo kusht të qetësoja bashkëshorten time, por një gjë të tillë nuk mund që ta fshihja. Nuk është hera e parë që mua më vdes fëmija. Para një viti më vdiq vajza, po për të njëjtat arsye. Djali Kleo kishte ngrirë dhe trupi i ishte bërë akull. Nuk e di se përse më ndodhin këto fatkeqësi. E di që ata ikën nga kjo jetë sepse unë nuk jam i aftë që t’u siguroj një strehë të ngrohtë. Nuk po mundem që ta kaloj këtë tragjedi, për më tepër duke e ditur që të njëjtin fat mund të kenë edhe dy djemtë që kam këtu”, shprehet Ferdinand Berati, babai i foshnjës. Ai ka shumë frikë se mos tragjedia përsëritet edhe tek dy djemtë që ka në banesë. Ka edhe një djalë më të madh, të cilin e ka dërguar tek njerku, për ta rritur. Ai vjen tek vëllezërit vetëm për fundjavë, sepse gjatë ditëve të tjera shkon në shkollë. Ata që ka në shtëpi, kanë probleme shëndetësore, prej të ftohtit.

Jeta në barakë

“Jetoj në një situatë të tillë prej 17 vjetësh. Para ca kohësh kam jetuar në një barake tjetër, por ajo m’u dogj. Ndërtova këtë që po jetoj tani. Të njëjtat kushte kishte edhe ajo. Siç e sheh, gjendja ime ekonomike është e keqe. Çdo gjë që bie jashtë futet brenda. Këtu edhe lopa ngordh, e jo më një bebe e vogël. Gjejmë kartonë jashtë dhe izolojmë vrimat. Kur bie shi ata lagen dhe më duhet që të gjej të tjerë. Por në dimër kjo gjë ndodh çdo ditë. A sheh se si jetojmë? Këtë sobën ma ka dhënë një komshije. Atë ditë që më vdiq djali, nuk kisha dru që ta ndizja dhe kështu që ai iku nga kjo botë. Era fryn nga të katërta anët. Kam frikë për pjesëtarët e tjerë të familjes”, ankohet ai për jetën që bën. Familja Berati nuk ka jetuar kurrë në një shtëpi prej vërteti. Kanë bërë një jetë endacake, por gjithmonë nëpër barake. Ndonjëherë e përplasin kokën tek disa shoqata për komunitetin rom, por edhe këto nuk nxjerrin gjë në dritë. I japin ndonjë lëmoshë, sa për t’u mbyllur gojën. Djalin e dytë e ka në shkollë.

Ferdinandi thotë se i biri në të shumtën e rasteve nuk shkon, sepse sëmuret. Babai nuk i ka blerë as librat. Ai nuk e di që për komunitetin rom ka disa lehtësira në lidhje me arsimimin e tyre. Pretendon se ka bërë disa dokumente në Bashkinë e Tiranës, në mënyrë që të përfitojë një banesë sociale. “Para ca vitesh kam bërë disa dokumente për të përfituar një shtëpi. Nuk e di se çfarë është bërë me ato. Ne jemi pa shkollë dhe ndoshta nuk i kemi bërë të gjitha në rregull. Gjithsesi ata të bashkisë duhet ta marrin parasysh këtë gjë dhe të na ndihmojnë”, apelon për vëmendje dhe ndihmë babai i viktimës. Kryefamiljari nuk ka punuar kurrë në jetë. Gjithsesi nuk pret që gjerat t’i vijnë nga qielli. Çdo ditë del në rrugët e Tiranës, për të mbledhur kanoçe. Thotë se ky “biznes” nuk u siguron asgjë. Të ardhurat ditore janë vetëm 500 lekë. “Nuk lë kazan plehrash pa kontrolluar. Sado që rropatem, nuk siguroj para për të jetuar normalisht, sepse ka edhe shumë të tjerë që jetojnë me këtë punë. Numri i atyre është shtuar shumë kohët e fundit. Maksimumi nxjerr 500 lekë në ditë. Por ka raste që as kaq para nuk i sigurojmë. Marr një përkrahje sociale prej 50 mijë lekësh. Ku t’i çoj më përpara unë ato. Kur më vdiq djali, nuk kisha asnjë kacidhe për të bërë varrimin e tim biri. U përplasa tek ajo shoqata që shkoj për herë. Ata më ndihmuan që të mbuloj varrimin. Djalin e madh e kam të sëmurë. Nuk kam lekë t’i blej ilaçet. Fëmijët e mi më shumë rrinë sëmurë se sa shëndoshë”, vijon ai që të flasë për hallet e tij.

Djali i vogël

Mikeli është djali më i vogël i familjes Berati. Para tre vjetësh ka pësuar një aksident. Një automjet e ka përplasur dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Fajtori nuk u identifikua kurrë. Që prej kësaj kohe, vogëlushi nuk është i ndërgjegjshëm për veten. Prindërit kanë frikë se mos i ndodh ndonjë e keqe. “Mikeli që prej aksidentit nuk është mirë nga trutë. Një ditë desh ma kishte përplasur sërish makina. Duhet t’i qëndrojmë para e mbrapa, sepse nuk dihet se ç’mund t’i ndodhë. Kam frikë se mos më hidhet në lumin e Lanës. Jetoj me zemër të ngrirë çdo ditë. Kërkoj që t’i bëj një kemp, por nuk di se çfarë rruge të ndjek. Ne me të keqen motra jemi pa shkollë. Nuk dimë asgjë”, tregon për të birin, Kozeta. Është mjaft e tronditur për atë që i ka ndodhur. E di që edhe pas kësaj tragjedie e dytë, asgjë nuk ka për të ndryshuar në jetën e saj. Shqetësohet për tre vogëlushët e tjerë, se mos kanë të njëjtin fat. “Nuk jam mirë. Po më ikën mendja. Trupi më dridhet dhe prej ditësh nuk kam vënë gjumë në sy. Deri tani më kanë vdekur dy fëmijë. Trembem për fatin e këtyre të tjerëve. Ju lutem më ndihmoni! Nuk kërkoj një jetë luksi, as një shtëpi të madhe. Kërkoj vetëm një banesë ku të mos hyjë i ftohti brenda. Jetojmë si kafshët. Here me bukë e herë pa bukë”, shprehet Kozeta, teksa është duke i lyer një copë buke të birit me vaj. Është e kursyer, në hedhjen e vajit, sepse nuk ka para që të blejë tjetër. Vogëlushi, Mikeli e ha, pa bërë naze. I mjafton që të largojë urinë. Është mësuar me të tillë ushqime. Kurrë në jetën e tij nuk ka ngrënë një vakt të plotë. Ka pasur edhe raste që ka rënë në gjumë me stomakun bosh.

Në “shtëpinë” e familjes

Teksa hyj teka “streha” e tij, nxiton për të thërritur të ëmën. Më sheh nga koka tek këmbët. Në këmbë nuk ka veshur as çorape e as këpucë. Ka shumë ftohtë, por mamaja nuk ka mundësi që t’ia sigurojë. Edhe rrobat që mban veshur, mbajnë një erë të rëndë, e cila është krijuar prej lagështirës. Zgjat duart e vockla, afër sobës, që të ngrohet. Aty edhe zjarri është i kursyer, sepse nuk kanë dru që ta mbajnë gjallë. Ndërsa vëllai tjetër, i cili është më i madh, dëgjon me vëmendje historinë e trishtë që e ëma ma tregon. Sytë ngjyrë jeshile i mbushen me lot. Është mjaft i vrarë shpirtërisht sepse i mungon vëllai i vogël. “Kleo nuk është më. Ai vdiq se kishte ftohtë”, më drejtohet me një zë të mekur. Teksa largohem nga baraka, e gjithë familja më përcjell jashtë. “Mirupafshim dhe do Zoti që të dëgjojë dikush hallet tona! Bëni edhe ju ndonjë gjë si gazetarë!”, apelojnë prindërit e vogëlushit të vdekur. Familja Berati nuk është e vetmja që jeton në kushte të tilla. Përreth saj, janë ngulur edhe baraka të tjera, të populluara nga familjet e komunitetit rom. Edhe ata jetojnë me të njëjtin rrezik.

Shtëpia

Këtu edhe lopa ngordh, e jo më një bebe e vogël. Gjejmë kartonë jashtë dhe izolojmë vrimat

Djali

“Kur e pashë tim bir në atë gjendje, më iku truri. Nuk është hera e parë që mua më vdes fëmija”

“Nuk lë kazan plehrash pa kontrolluar. Sado që rropatem, nuk siguroj lekë për të jetuar normalisht, sepse ka edhe shumë të tjerë që jetojnë me këtë punë. Numri i atyre është shtuar shumë kohët e fundit. Maksimumi nxjerr 500 lekë në ditë”.

Ferdinand Berati

“Nuk jam mirë. Po më ikën mendja. Trupi më dridhet dhe prej ditësh nuk kam vënë gjumë në sy. Deri tani më kanë vdekur dy fëmijë. Trembem për fatin e këtyre të tjerëve. Ju lutem më ndihmoni! Nuk kërkoj një jetë luksi, as një shtëpi të madhe”

/Silvana Muça, SHQIP/