Denada Zota është 32-vjeçarja e cila i dha fund jetës duke u vetëhedhur nga kati i 7-të i një pallati në lagjen nr.5 në Durrës.

Ngjarja që tronditi jo pak dëshmitarët ndodhi mesditën e të dielës. Edhe pse shumë qytetarë u afruan me qëllim për t’i dhënë ndihmën e parë, ishte e kotë, pasi ajo kishte vdekur në vend.

Panorama shkruan se në momentin që e reja vendosi të kryejë aktin ekstrem ndodhej nën shoqërinë e familjarëve të tjerë, dy prindërve dhe vëllait 27-vjeçar por nuk mundën ta ndalonin atë. Dy ditë pas ngjarjes së rëndë familjarët tregojnë se kohët e fundit Denada ishte rënduar nga ana psikologjike por nuk ua priste mendja se situata do të arrinte deri këtu.

“Kohët e fundit kishte shfaqur gjendje të rënduar psikologjike, por që nuk na merrte mendja se do të përfundonte duke u hedhur nga pallati. As e imagjinonim një fund të tillë për vajzën tonë”, është shprehur nëna e saj 61-vjeçare.

Familja e Denada Zotës kishte vite që ishte shpërngulur nga Dibra për të jetuar në qytetin bregdetar të Durrësit. Dyshohet se vajza vuante nga probleme psikologjike, por arsyeja e vërtetë që shtyu 32-vjeçaren të ndërmerrte aktin ekstrem ende nuk është zbuluar.

“Ajo nuk kishte lënë asnjë letër dhe nuk kishte lënë asnjë përshtypje te familjarët e tjerë për këtë veprim. Ndaj arsyen e vërtetë nuk e kemi zbuluar ende. Ndoshta ka pas ndonjë problem personal, por këtë do ta zbulojnë hetimet”, thanë burimet nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje të rëndë.