Kreu i PD-së, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj autoriteteve lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kuti. Ai tha se në këtë rast është përsëritur skenari i vrasjes së Klodian Rashës.
“Çfarë ndodhi pas kësaj, gjithçka u bë po kaq e shëmtuar sa krimi. U vërsulën kriminelë të tjerë me uniformë me në krye Ardi Veliun, për të falsifikuar çdo të dhënë, njoftuan se ndërroi jetë në spital, kur e dërguan kufomë. Në kundërshtim absolut me praktikën e hetimit, ndërmorën autopsinë sikur të ishin klandestinë, në ora 4 të mëngjesit, e palejueshme për një akt autopsie, sidomos kur thua për vdekje natyrale, të japë rezultatin, duhet lënë të paktën 12 orë. Në një rast të tillë kur vdes një 32-vjeçar dhe është subjekt hetimi, autopsia bëhet nga grup ekspertësh dhe jo një të vetmi nën terrorin e Ardi Veliut.
Një grup kriminal u krijua në këtë rast si e si të vrasin për së dyti Lear Kurtin, jashtë çdo lloj imagjinate. U ripërsërit skenari i Klodian Rashës. Dje Veliu njoftoi se në stomak iu gjet një qese me kokainë. Broçkulla. Iu vendos një qese kokainë atij në stomak, njëlloj si revolja…
Çdo natë patrulla e policisë mund të takojë të rinj që ose nuk e kanë kartë e ID me vete, ose tremben, por kjo do të thotë që t’i ndjekë dhe t’i vrasë, t’i ndjekë dhe t’u marrë shpirtin.
Le ta zëmë se është dhe qese, nuk është vdekjeprurëse qesja. Ajo ka qenë brenda minutave, nuk është hapur si substancë. Kemi të bëjmë me një skenar të cilin e vranë për së dyti Lear Kurtin. Një njeri normal, një njeri për të cilin shokët e tij kishin vetëm fjalë të mira. I rritur me sakrifica të mëdha nga nëna e tij, dhe ajo një jetë të dhimbshme. Për t’ia nxirë jetën ia nxiu patrulla e Çuçit. Kërkoj dorëheqjen e ministrit të familjes.
Nuk mund të kishte një çështje më të mprehtë më të dhimbshme se sa vdekja e një 32-vjeçari që po kthehej në shtëpi. Ishte dyfish krim. Pasi i morën shpirtin xhelatët, u hodhën pastaj në një lumë akuzash, shpifjesh trillime për të ndjerin. ky është morali i Edi Ramës. Ndaj dhe ai ka një përzgjedhje të preferuar për njerëzit që sillen në këtë mënyrë.
Të rinjtë kanë dalë në një protestë, ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen në protestë sepse pritet cili do të jetë i radhës që do të humbasë jetën nga keqtrajtime brutale”, tha Berisha.