Celnik Melcellari është 45-vjeçari nga Korça, i cili u gjet i vdekur passditen e sotme në automjetin e tij. Viktima është nga fshati Sovjan i Maliqit dhe kishte humbur kontaktet me familjarët prej mëngjesit të sotëm kur ishte larguar për në punë në qytetin e Korçës.

Pas disa thirrjeve telefonike të humbura, bashkëshortja e 45 vjeçarit ka bërë kallëzimin në komisariatin e Maliqit duke shpjeguar se bashkëshorti i saj vuante nga trompoza. Pas kallëzimit policia ka nisur menjëherë me procedurat.

Trupi i pajetë i 45 vjeçarit u gjet brenda mjetit të tij në një rrugë dytësore në unazën e qytetit të Korçës. Policia me një komunikatë zyrtare sqaron se në trupin e 45-vjeçarit nuk janë gjetur shenja dhune dhe se ai mund të ketë humbur jetën për shkaqe natyrale, por do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të sqarojë shkakun e vdekjes.

Paraprakisht edhe nga kryqja në vendin e ngjarjes (në mjet) dyshohet që viktima mund të ketë pirë stimulues, si pasojë e të cilave dyshohet se ka gjetur vdekjen.