Bashkia e Lushnjës ka reaguar pas vdekjes së 48-vjeçares Shpresa Cani në ambientet e instuticionit.

Sipas Bashkisë së Lushnjës, mes 48-vjeçares dhe përfaqësuesve së bashkisë nuk ka pasur asnjë debat dhe zonjës Cani nuk i është ndërprerë ndihma ekonomike, por ajo trajtohet me KEMP, një pagesë prej 11 915 lekë në muaj.

NJOFTIMI I BASHKISË LUSHNJË

“Bashkia e Lushnjës përmes Kryetares se Bashkisë Eriselda Sefa nisur  nga informacioni jo i verifikuar dhe abuziv i shpërndarë në media lidhur me ndarjen nga jeta të shtetases Shpresa Cani, 48 vjeçe, banuese në Çanakaj të Njësisë Fiershegan, dëshiron të sqarojë opinionin publik, duke i shprehur fillimisht ngushëllimet më të sinqerta familjes Cani.Sa i përket ngjarjes,  sqarojmë se të mërkurën rreth orës 11:00 pranë Zyrës së Informacionit është paraqitur shtetasja Shpresa Cani e cila kërkoi takim me Kryetaren e Bashkisë Eriselda Sefa.

Pak minuta më vonë Kryetarja e Bashkisë priti në zyrë të interesuarën e cila ishte e përfshirë nga viti 2007  në kategorinë PAK si Invalide e plote nga KMCAP me diagnoze Drepanocitoze Hemozigote (sëmundje gjaku), me pagese mujore 11 915 lekë.

Shtetasja Shpresa Cani deklaroi që jetonte vetëm me babain dhe kërkoi nga Bashkia që përveç trajtimit me KEMP nga KMCAP, të gjendej një mundësi për ndihme shtesë për të dhe babain e saj edhe nga ky institucion.

Pasi dëgjoi shqetësimin e Zonjës Cani, Kryebashkiakja Sefa thërriti Drejtoreshën e Shërbimit Social pranë bashkisë Lushnje për të parë mundësinë e ndihmës shtesë nga buxheti bashkiak, përveç pagesës se invaliditetit.

Pati një dakordësi që në janar të shihej mundësia për ta futur në skemat e ndihmës nga buxheti bashkiak, mirëpo në një moment Zonja Cani është ndjerë keq.

Menjëherë është njoftuar ambulanca dhe shefi i Komisariatit Lushnjë, z.Edvin Ndreu.

Ambulanca mbërriti brenda pak minutash në ambientet e Bashkisë duke transportuar pacienten drejt Spitalit dhe pak çaste më vonë mbërritën edhe efektivet e komisariatit Lushnjë.

Bashkia e Lushnjës përmes Kryetares së Bashkisë përgënjeshtron dhe shpreh keqardhje për informacionet abuzive të shpërndara në media lidhur me dinamiken e ngjarjes.

Në ambientet e bashkisë Lushnje dhe aq më pak në zyrën e kryebashkiakes, nuk ka pasur asnjë debat mes Zonjës Cani dhe përfaqësuesve të Bashkisë, përkundrazi pati gatishmëri për të dhënë ndihmë shtesë për të interesuarën.

Sqarojmë gjithashtu që Zonja Cani është trajtuar me ndihma emergjente sipas programeve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Sjellim në vëmendje të mediave dhe të opinionit publik se e ndjera Shpresa Cani nuk ka qenë e trajtuar me ndihme ekonomike (sikurse publikuan disa media) pasi ajo trajtohej me pension invaliditeti!

Përsa më sipër, duke shprehur keqardhje mbi dezinformimin mbi ngjarjen,  lutemi që mediat të jene serioze dhe të mos abuzojnë me informacionin e publikuar, aq më tepër që përpara publikimit të lajmeve nuk ka pasur asnjë kontakt për të dëgjuar zyrtarisht reagimin e Bashkisë për këtë ngjarje! Faleminderit!”