DURRES– Vdekja e 7-vjeçares Arsela Vladi në ditët e fundit të vitit të shkuar pritet të zbardhet pas kryerjes së autopsisë. Hetimet e Prokurorisë së Durrësit kanë mbetur në këtë pikë dhe burime pranë këtij institucioni thonë se në ditët në vazhdim mund të kryhet zhvarrimi i fëmijës, që humbi jetën në duart e mjekëve, si pasojë e shkallës së lartë të diabetit. Prokurori Vladimir Mara, që ka marrë në shqyrtim dosjen dhe ka nisur hetimin për neglizhencë në mjekim, ka bërë të ditur se çështjes do i shkohet deri në fund, pasi ende kanë mbetur shumë gjëra në proces deri në mbyllje të dosjes dhe dorëzimit të saj në duart e Gjykatës.
Lidhur me zhvarrosjen e vajzës kanë reaguar prindërit, të cilët e kanë quajtur një tjetër neglizhencë faktin që nuk iu bë autopsia vajzës që në fillim. Prindërit e 7-vjeçares u shprehën se nuk janë dakord që vajza të zhvarroset, pasi sipas tyre, këtë gjë Mjekësia ligjore duhet ta kishte bërë me kohë. Ilir Vladi deklaroi dje se nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë denoncim në lidhje me rastin në fjalë, pavarësisht dhimbjes së madhe që ndjen për humbjen e vajzës së tij të dytë. “Nuk do të lejojmë kurrsesi që varri i vajzës të hapet për t’iu bërë autopsia, pasi kjo gjë duhej bërë me kohë. Çfarë kanë pritur? Pse nuk ia bënë autopsinë vajzës kur ishte koha? Apo tani që u bë publike, duan të hiqen si engjëj.
Dua që personat e ngarkuar me hetimet t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje, pasi nuk dua që prindër të tjerë të vuajnë dhimbjen tonë”, përfundoi babai i Arsela Vladit. Vajza e vogël ndërroi jete në Pediatrinë e Qendrës Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, vetëm pak orë pasi ishte transportuar me urgjencë nga Spitali Durrësit. Pohimet se vajza ka qenë e sëmurë prej një viti, e bëjnë edhe më të detyruar autopsinë, anashkalimi së cilës duket se ka pjesën e vet të mbulimit të së vërtetës lidhur me ngjarjen e rëndë.
Prindërit, akuzë dhe mjekëve të QSUT
Prindërit e 7-vjeçares Arsela Vladi kanë kërkuar një hetim të imtësishëm nga strukturat përkatëse, ndërsa kanë shtuar në listën e të akuzuarve edhe mjekët e QSUT-së. Sipas tyre, bluzat e bardha në Tiranë kanë mbajtur të njëjtin qëndrim si dhe ato të Durrësi, pasi kanë nisur ta trajtojnë rastin vetëm kur vajza po shuhej. Ata thonë se vajza ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë në ambientet e spitalit të Tiranës dhe mjekët kishin mjaftueshëm kohë për të vepruar. Babai i vajzës tha se mjekët kanë nisur të interesohen për Arselën vetëm kur ajo nuk reagonte.
Nga Leonidha Musaj





