DURRES, 18 shkurt 2013 – Rikthehen në detyrë dy nga tre mjekët e pezulluar nga detyra për trajtim të pakujdesshëm mjekësor ndaj 7 vjeçares Arsela Vladi. Shefja e repartit të Pediatrisë, Irena Lila dhe shefja e laboratorit Etleva Myshketa janë rikthyer në detyrë. Ato qenë pezulluar nga puna me urdhër të ministrit të shëndetësisë Vangjel Tavo, menjëherë pas vdekjes së vogëlushes.

Prokuroria e Durrësit bën të ditur se hetimet për ngjarjen e 27 dhjetorit, ku humbi jetën në spitalin e Tiranës vajza 7 vjeçare nga Durrësi janë përqendruar vetëm tek mjeku roje, Rasim Lusha, i cili akuzohet për mjekim të pakujdesshëm.

Pas më shumë se një muaji hetimesh, grupi hetimor ka dalë në konkluzionin se shefja e pediatrisë dhe ajo e laboratorit nuk kanë përgjegjësi për vdekjen e Arsela Vladit, për këtë arsye ato janë rikthyer në detyrën që mbanin deri në 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Ngjarja

Arsela Vladi, 7 vjeçarja nga Durrësi u nda nga jeta pasditen e 27 dhjetorit në spitalin pediatrik të kryeqytetit. Ajo u dërgua me urgjencë për mjekim më të specializuar, pasi mjekët konstatuan se vajza e vogël ishte në gjendje mjaft të rëndë. Vogëlushja ishte paraqitur në spital mbrëmjen e 26 dhjetorit dhe mjeku roje e kishte mjekuar me glukozë, ndërkohë që fëmija vuante nga diabeti. Sipas mjekëve të  kryeqytetit vdekja iu shkaktua vajzës së mitur nga një goditje në tru.

E ëma e vajzës, Alma Vladi, u shpreh në atë kohë se e bija humbi jetën për shkak të neglizhencës së mjekëve. Sipas saj, mjekët e spitalit të Durrësit nuk e kishin kuptuar se Arsela vuante nga diabeti dhe e kanë lënë të presë 12 orë përpara se ta vizitonin atë.

Një mbledhje urgjente të zhvilluar me bordin drejtues të Spitalit të Durrësit, një ditë pas vdekjes së 7-vjeçares, drejtori i polikave shëndetësore në ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero ka pohuar se në kartelën e vogëlushes janë konstatuar parregullsi në mjekim dhe dërgimi i saj në QSUT nuk mund t’i shpëtonte dot jetën.