DURRES – Ministria e Shëndetësisë ka pezulluar dy shefa të spitalit të Durrësit pas vdekjes së 7-vjeçares Arsela Vladi.

Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo është shprehur për mediat se gjithashtu se janë ngritur edhe dy grupe pune për të hetuar ngjarjen.

“Kam pezulluar nga detyra shefen e Repartit të Pediatrisë Durrës, Irena Lila, shefen e Laboratorit, Etleva Myshketa dhe mjekun roje, Rasim Lusha.U informova për ngjarjen nga pediatria e QSUT-së dhe kam ngritur dy grupe inspektimi një në spitalin e Durrësit dhe një në QSUT”,- u shpreh Tavo.

Ndërkohë drejtori i politikave shëndetësore në MSH, Pëllumb Pipero ka shkuar sot në spitalin e Durrësit. Pas kontaktit me drejtuesit e Spitalit dhe mjekët Pipero ka deklaruar se kishte parregullsi në kartelën e vajzës që humbi jetën një ditë më parë. 

Për vdekjen e Arsela Vladit ka reaguar sot edhe kreu i Urdhrit të Mjekut, Dino Abazi, i cili është shprehur se do të nisë një hetim të menjëhershëm për ngjarjen. “Do presim analizat mjekësore, dhe më pas do dalim me një vendim. Ne nuk mund të japim deklarata të nxituara për rastin”,- tha ai. 

Sipas Abazit, reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë është i nxituar. “Vendimi i Ministrisë, shkelet prezumimi i pafajësisë”,- tha kreu i Urdhrit të Mjekut.