TIRANE Ministria e Shëndetësisë fajëson mjekun pediatër Rasim Lusha në spitalin e Durrësit, për humbjen e jetës së 7-vjeçares Arsela Vladi, i cili është pushuar nga puna për neglizhencë dhe mos respektim të protokolleve të mjekimit dhe pritet që organet e drejtësisë të japin verdiktin e tyre. 

“Zoti Tavo urdhëron pushimin nga puna të mjekut Rasim Lusha për shkelje të rënda dhe mosrespektim të protokolleve për këto çështje. MSH angazhohet për t’u shkuar përgjegjësive deri në fund, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten. Presim që organet e drejtësisë të veprojnë”,- deklaroi Pëllumb Pipero, drejtor i politikave në MSH. 

Pasi grupet e punës bënë verifikimet e duhura, Minsitria e Shëndetësisë mohon se shërbimi laboratorik nuk ka funksionuar për faktin që ka qenë dita e Krishtlindjes. Duke iu referuar konkluzioneve të grupeve të punës rezulton se mjeku roje nuk ka kërkuar asnjë ekzaminim laboratorik. 

“Theksojmë se sipas kartelës, fëmijës nuk i është bërë asnjë analizë laboratorike deri në 8 të mëngjesit të 26 dhjetorit, edhe pse spitali rajonal i Durrësit është i hapur dhe funksionon 24 orë në 24. Fëmija nuk është ndjekur sipas protokolleve dhe për pasojë nuk është mjekuar në mënyrë adekuate dhe pa asnjë ekzaminim laboratorik”, nënvizoi Pipero. 

Vetëm në datën 26 në mengjës, pas konsultave mjekësore dhe pasi i janë kryer analizat laboratorike, ajo ka rezultuar diabetike. 

Për shkak të komplikacioneve në frymëmarrje dhe tru, ku si pasojë e edemës cerebrale dhe ketoacidozës diabetike,Srsela 7 vjeçare ka ndërruar jetë. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar prokurorisë të hetojë çështjen dhe të ndëshkojë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje. 

Një ditë më parë, Avokati i Popullit, Igli Totozani, tha se institucioni që ai drejton do të nisë një hetim të pavarur.