TIRANË – Avokati i Popullit, Igli Totozani, gjatë një vizite që kreu në shtëpinë e vajzës 7 vjeçare nga komuna Xhafzotaj, Durrës, e cila ndërroi jetë dje në Spitalin Pediatrik në QSUT, shprehu ngushëllimet dhe keqardhjen e tij dhe u siguroi prindërve dhe familjarëve të vogëlushes që kjo çështje do merret në shqyrtim nga institucioni që ai drejton. 

Në ditët në vijim Avokati i Popullit bëri me dije se do dërgojë një grup ekspertësh të institucionit, të cilët pasi të regjistrojnë ankesën e familjarëve të vajzës do kryejnë një hetim të pavarur. 

7-vjeçarja Arsela Vladi ndërroi jetë pasditën e djeshme në spitalin e Pediatrisë në kryeqytet, ndërkohë që prindërit e vajzës që vuante nga diabeti akuzuan mjekët për vonesa në konstatimin e sëmundjes dhe neglizhencë.