• Arrestohet drejtuesi i motorit me të cilin u aksidentuar 19-vjeçari dhe nisi ndjekja penale për drejtuesin teknik të firmës që kryen punimet e aksit ku ndodhi ngjarja

23 dhjetor 2014 –  Policia e Tiranës ka çuar për ndjekje penale dy persona si përgjegjës për aksidentin ku humbi jetën 19-vjeçari Atjon Zhiti, djali i shkrimtarit Visar Zhiti. Serxho Martiniani, 19 vjeç dhe Naim Boshnjaku, 40 vjeç janë proceduar nga policia për ngjarjen e ndodhur më datë 20 dhjetor në autostradën Tiranë-Durrës kur motori me të cilin udhëtonte Zhiti doli nga rruga dhe u përplas me një bordurë. Për pasojë, ai humbi jetën, ndërsa u plagos rëndë shoku i tij Serxho Martiniani. Ky i fundit drejtonte motorin në momentin e aksidentit dhe është arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërsa i akuzuari tjetër, Naim Boshnjaku, banues në Sauk, Tiranë, duke qenë përgjegjës teknik i firmës që kryente punimet në autostradë nuk ka marrë masat për të parandaluar qarkullimin e mjeteve.

Hetimi

Dy ditë pas aksidentit ku humbi jetën djali i shkrimtarit Visar Zhiti, policia ka çuar për ndjekje penale dy persona. Serxho Martiniani u arrestua ditën e djeshme pasi akuzohet për mosrespektim të Kodit Rrugor dhe shkaktimit të aksidentit me pasojë vdekjen. Më datë 20 dhjetor, Martiniani së bashku me 19-vjeçarin Atjon Zhiti po udhëtonin me motor në autostradën Tiranë-Durrës kur kanë dalë nga rruga dhe janë përplasur tek një bordurë. Për pasojë gjeti vdekjen e menjëhershme Zhiti ndërsa u plagos rëndë Martinini i cili ndodhet në reanimacion në Spitalin Ushtarak. Burime nga policia thanë Martiniani po udhëtonte me 120 km në orë në një aks rrugor ku tabela njofton lëvizjen me 40 km në orë. Në momentin që ndodhi aksidenti, i riu po drejtonte motorin me shpejtësi tej normale të lejuara. Ndërkohë që gjatë hetimeve të kryera në vendngjarje rezultoi se aksidenti është shkaktuar edhe si pasojë e terrenit të vështirë të krijuar nga punimet që po kryhen në një pjesë të autostradës. Policia ka bërë fajtor drejtuesin teknik të firmës i cili nuk ka marrë masa për moskalimin e mjeteve në atë aks apo paralajmërimin se po kryhen punime. Për këtë akuzë ndaj Naim Boshnjakut, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Aksidenti

Atjon Zhiti, djali i vetëm i ish-ministrit të Kulturës, Visar Zhiti kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer për pushime nga Milano, Itali ku vazhdon studimet e larta për Filozofi. Mbrëmjen e së premtes ai së bashku me shokët e tij kanë qenë në një lokal nate ku kanë festuar deri në orët e para të së shtunës. Ndërkohë që rreth orës 06:00 të së shtunës, Zhiti së bashku me shokun e tij Serxho Martiniani kanë hipur në motorin e këtij të fundit. Kur ndodheshin duke udhëtuar në autostradën Tiranë-Durrës pak kilometra larg kryeqytetit, motori ka dalë nga rruga dhe u përplas tek një bordurë. Atjon Zhiti i cili ndodhej pasagjer në motor është hedhur rreth 80 metra larg dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi ka marrë plagë të rënda në kokë dhe trup. I plagosur rëndë mbeti edhe drejtuesi i motorit Martiniani i cili aktualisht ndodhet në spital, por jashtë rrezikut për jetën. Policia e njoftuar për ngjarjen nisi hetimet për të zbardhur rrethanat ndërsa ngriti akuzë për dy persona si përgjegjës për këtë aksident.

Ceremonia

Djali i vetëm i shkrimtarit Zhiti, që një pjesë të jetës së tij e vuajti si i përndjekur dhe i dënuar politik, në diktaturë, u përcoll të dielën për në banesën e fundit. Në ceremoninë mortore të 19-vjeçarit Atjon Zhiti morën pjesë me qindra njerëz, të afërm, miq dhe të njohur të familjes. Vdekja e të riut ka shokuar jo vetëm prindërit dhe të afërmit e tij por edhe të gjitha ata që e njihnin. Me dhjetëra dedikime nga miq të 19-vjeçarit janë shkruar në profilin e tij në Facebook. Atjon Zhiti nisi këtë vit studimet e larta në Milano, Itali për Filozofi. Ai ishte kthyer pak ditë më parë nga Italia për të kaluar pushimet e fundvitit me prindërit e tij.

/Shekulli/