Policia britanike ka nisur hetimet për vrasje, pas vdekjes së biznesmenit rus Nikolai Glushkov. 68-vjeçari, i cili ndodhej në Britani që prej vitit 2004 dhe kishte fituar azil politik, u gjet i pajetë nga familjarët në shtëpinë e tij në jug-perëndim të Londrës, pasditen e së hënës.

Sipas asaj që shkruan BBC, policia deklaroi se Grushkov ka vdekur nga “shtrëngimi në qafë”. Autoritetet britanike sqarojnë më tej se deri në këtë moment nuk ka të dhëna që të tregojnë një lidhje mes vdekjes së tij dhe helmimit të ish-agjentit të dyfishtë dhe vajzës së tij në Salisbury.

Glushkov kishte mbajtur detyrën e drejtorit të kompanisë shtetërore ruse të fluturimit Aeroloft. Ai u dënua në 1999 me 5 vite heqje lirie për akuzën e pastrimit të parave dhe mashtrimit. Pas daljes nga burgu, 68-vjeçari u arratis drejt Britanisë së Madhe, pasi i druhej një tjetër arrestimi.

Lajmi se biznesmeni rus është vrarë vjen vetëm pak orë pasi Kryeministrja britanike, Theresa May nxori një ultimatum ndaj Vladimir Putin, për të shpjeguar përfshirjen e tij në helmimin e Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia.

Agjentët britanikë të Antiterrorit po e trajtonin vdekjen e Glushkov si të pashpjegueshme, por tashmë kanë konfirmuar se bëhet fjalë për vrasje dhe se po hetohet në këtë pistë. Ishte ekzamini mjeko-ligjor që dalloi shenja mbytjeje në qafën e Glushkov.