Ndarja e parakohshme nga jeta e durrsakut 22-vjeçar Rei Hoxha vazhdon ende të pikëllojë zemrat e gjithë komunitetit shqiptar në Aleksandri.
Mbrëmjen e fundit të 2015-s, ai u godit nga një automjet, teksa ecte në sheshin e “Lirisë” dhe ndërroi jetë më 1 janar në spital.
Por shkaktari i aksidentit të tmerrshëm që i mori jetën të riut nga Durrësi, nuk është arrestuar ende, megjithëse sipas pjesës më të madhe të komunitetit atje, dihet se kush është autori.
Sipas tyre, autoritetet italiane janë munduar ta zbehin aksidentin fatal, për shkak se shoferi i dehur ishte djali i një ish-punonjësi policie, person me influencë në zonën e Aleksandrisë.
Për të kërkuar drejtësi, dhjetëra njerëz nga komuniteti shqiptar në Aleksandri dolën paraditen e së dielës për të protestuar në sheshin e “Lirisë”, pikërisht në vendin ku ndodhi aksidenti, duke vendosur buqeta me lule dhe duke lëshuar tullumbace të bardha, shkruan “La Stampa”.
“Ai që e përplasi kishte pirë shumë, dhe ende lëviz rreth qytetit. Nuk i urojmë burgun askujt, por të paktën mund të ishte vënë në arrest shtëpie”, tha njëri prej protestuesve.
S.L.





