Policia e Durrësit ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë që shkaktoi humbjen e jetës së marinarit nga Azerbajxhani, J. A., i cili dyshohet se humbi jetën nga kontakti me rrymën elektrike gjatë punës në anije.
Si rezultat i veprimeve hetimore, janë arrestuar kapiteni A. Z. dhe inxhinieri D. L., për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, gjatë kontrollit dhe veprimeve procedurale janë kryer edhe arrestime dhe procedime të tjera: një 33-vjeçar në Durrës u arrestua për vjedhje të një transformatori energjie; dy shtetas janë shpallur në kërkim për largim të paligjshëm dhe mashtrim; dhe disa procedime penale janë nisur për baste sportive të paligjshme, pengim punimesh, tentative vjedhjeje, konflikte fizike dhe një aksident rrugor në gjendje të dehur.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 07.12.2025, mbi humbjen e jetës së shtetasit nga Azerbajxhani, J. A., dyshohet pas rënies në kontakt me rrymën elektrike, gjatë punës në anijen ku ishte marinar, informojmë se në vijim të veprimeve procedurale dhe hetimore në lidhje me këtë rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan kapitenin dhe inxhinierin e anijes, përkatësisht shtetasin A. Z., banues në Azerbajxhan, dhe shtetasin D. L., banues në Gjeorgji, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, këto shërbime:
-arrestuan në flagrancë shtetasin S. R., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke vjedhur një transformator të energjisë elektrike, në një subjekt në lagjen nr. 14;
-shpallën në kërkim shtetasin R. F., 63 vjeç, banues në Prishtinë, pasi më datë 08.12.2025, kallëzoi kapiteni i një trageti, se 63-vjeçari kishte ikur nga mjeti me të cilin ishte kthyer nga autoritetet italiane, për mungesë dokumentacioni të nevojshëm për qendrim në Itali. Punohet për gjetjen e shtetasit R. F., si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit;
-shpallën në kërkim shtetasin B. L., 63 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka mashtruar përfaqësuesin e një kompanie, mbi pagesën e shërbimit që kompania ka kryer për llogari të shtetasit B. L.. Punohet për kapjen e shtetasit B. L.;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit L. T., 26 vjeç, dhe E. S., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi u kapën duke vënë baste sportive, me celular, në lokalin e 32-vjeçarit. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua celulari i përdorur për këtë veprimtari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. A., 62 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka penguar kryerjen e disa punimeve rikonstruktimi, me leje, në një objekt në pronësi të një shtetaseje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 13-vjeçar, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë në një banesë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit L. B., 47 vjeç dhe D. D., 41 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me një 36-vjeçar.
Specialistët e qarkullimit rrugor kapën dhe vunë në pranga shtetasin A. R., 37 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se në rrugën “Ahmet Caci”, ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë automjeti është përplasur me një automjet të parkuar. Nga aksidenti pati vetëm dëme materiale. Pas aksidentit, 37-vjeçari u largua nga vendngjarja.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.





