Detaje të reja zyrtare janë bërë me dije nga prokuroria e Korçës përsa i përket vdekjes së 25-vjeçari Fridman Xhaferraj.

Mësohet se Xhaferraj është vrarë në Korçë dhe më pas është hedhur në rezervuarin e Gjancit, ku është gjetur me duar të lidhura dhe pa shenja jete.

Sipas prokurorisë, Xhaferraj është larguar nga shtëpia në datën 22 maj, një ditë pas ndryshimit të masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Në datën 23 maj policia ka shkuar në shtëpinë e 25-vjeçarit për të kontrolluar zbatimin e masës së sigurisë, por nuk e ka gjetur.

I vëllai i ka deklaruar policisë se Fridman është nisur për të punuar në Greqi me disa persona të tjerë.

Burime të prokurorisë thonë se 25-vjeçari është vrarë për larje hesapesh.

Shkak për vrasjen dyshohet të jenë konfliktet e mëparshme të viktimës.