Greqi, 1 prill 2014 – Ministria greke e Drejtësisë ka reaguar ashpër lidhur me vdekjen e të dënuarit shqiptar, Ilia Kareli. Në një deklaratë për shtyp, ministria e cilëson dhunën e ushtruar ndaj shqiptarit, një akt mizor, çnjerëzor dhe monstruoz të zyrtarëve të cilët, sipas saj, kanë shkelur konceptin e sundimit të ligjit dhe detyrën e tyre për të mbrojtur jetën e njeriut.
“Ligji do të zbatohet në mënyrë shembullore kundër atyre që janë përgjegjës”,- tha në një deklaratë sekretari i përgjithshëm i politikave penale pranë Ministrisë së Drejtësisë, Marino Skandamis.“Sjellje të tilla, që vijnë nga vitet më të errëta të historisë do të marrin përgjigjen e merituar nga shteti dhe nga drejtësia greke”,- theksoi ai.
Arrestimet në Greqi
Kryhen arrestimet e para të urdhëruara nga Prokurori i Amfissas, Niko Antonarakis, lidhur me vdekjen nga dhuna e të dënuarit shqiptar Ilia Kareli. 8 urdhërarreste u lëshuan sot për rojet e burgut të Nigritës, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në dhunën ndaj të dënuarit shqiptar.
Policia arrestoi 3 gardianë të burgut të Nigritës, ndërsa priten edhe 5 arrestime të tjera, mes të cilave edhe ai i drejtorit të rojeve të brendshme të burgut të Nigritës, Hari Konsolidi, i cili që dje pasdite ndodhet i shtruar në spitalin psikiatrik të Serresit, për shkak të stresit dhe presionit.
Ata akuzohen për rrahje dhe torturë me pasojë vdekjen, plagosje të rëndë dhe dëmtime të rënda të qëllimshme. Akuzave iu shtohet edhe ajo e moskallëzimit të krimit, nga persona që deklaruan se i dënuari kishte mbërritur i dhunuar në burgun e Nigritas. Hetimi është përqëndruar në datat 25-27 mars, që nga vrasja e gardianit e derisa Ilia u gjet i vdekur.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





