Greqi, 2 prill 2014 – Ndërsa në Greqi vijojnë hetimet mbi vdekjen e të burgosurit shqiptar, Ilia Kareli nga ana e kontrollit të Brendshëm të Policisë së Greqisë së Veriut, mësohet se shefi i rojeve të brendshme të burgut të Nigritas, Hari Konsolidis, që tashmë ndodhet i shtruar në psikiatrinë e Serresit, ka pranuar para kolegëve të tij në polici, se e ka rrahur dhe torturuar shqiptarin brenda në burg. Ai ka pranuar se në torturë ishin edhe 9 roje të tjera, 7 nga të cilët e mohuan pjesëmarrjen, ndërsa 2 e pranuan fajin e tyre.
Kur Konsolidis mësoi se do të arrestohej, tentoi të vetëvritej, por u shpëtua nga kolegët. Mësohet se i ka telefonuar gruas dhe i ka kërkuar falje, më pas ka tentuar vetëvrasjen.
Dëshmi tjetër e rëndësishme është një video, ku i burgosuri duket se tërhiqet zvarrë nga gardianët, pasi kishte qenë i mbyllur me torturuesit e tij për disa orë në një qeli tjetër pa kamera. Aktakuza për rastin e abuzimit të të burgosurit nga 14 roje në burgun e Nigritës përmban tre vepra penale, atë të torturës me pasojë vdekjen, torturën e thjeshtë dhe dëmet e rënda fizike si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj 14 rojeve të burgut të Nigritës, të cilët përveç veprës penale të kryer janë përpjekur të krijojnë edhe alibi. Kanë fshirë pikat e gjakut në qelinë e Karelit, e kanë torturuar atë në një dhomë pa kamera dhe kanë deklaruar se ai ka mbërritur i goditur nga policët dhe duke ua hedhur fajin atyre.
Sot pritet të kryhen arrestimet e 8 gardianëve të burgut të Nigritas në Serres, kundër të cilëve është lëshuar urdhër arresti për torturimin deri në vdekje të të burgosurit shqiptar Ilia Kareli.
Policia greke i la të lirë 3 gardianët e burgut të Nigritas, të cilët u ndaluan dje. Sipas policisë, duhet më tepër kohë të përfundojnë procedurat për çështjen. Dosja i ka kaluar prokurorisë dhe pritet një urdhër i dytë.
Ndaj zyrtarëve të burgut rendon akuza për rrahje dhe torturë me pasojë vdekjen, plagosje të rëndë dhe dëmtime të rënda të qëllimshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





