Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një dalje për mediat ditën e sotme ka ngritur disa pyetje për vdekjen e Lear Kurtit pas shoqërimit nga efektivët e komisariatit numër 3.
Në një deklaratë për mediat, Meta akuzoi qeverinë se po përpiqet ta trajtojë ngjarjen si të zakonshme për të mbuluar atë që ai e cilësoi një krim flagrant shtetëror.
“Rastin tronditës të humbjes së jetës së Lear Kurtit, qeveria dhe policia e Ramës po përpiqet ta trajtojë si një ngjarje të zakonshme për të mbuluar një krim flagrant shtetëror.
Po tentohet të fshihet e vërteta, ndërsa është ende shumë e freskët në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, vrasja makabër e Klodian Rashës dhe mashtrimi i policisë së Ramës dhe Ministrisë së Brendshme. E mbushur me patronazhistë, të frymëzuar dhe të mbështetur politikisht nga arroganca e kryeministrit dhe sjellja dhe qëndrimet e njëjta me të dhe të Ministrit të Brendshëm, policia sot nuk shihet më si një institucion që mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve, por si kërcënim kriminal për ta. Mbi bazën e disa fakteve publike ulëritëse, që rëndojnë edhe më shumë paligjshmërinë ku është zhytur policia e Ramës, natyrshëm shtrohen disa pyetje. Cila është arsyeja që policia deklaroi që i riu vdiq në spital, ndërkohë që spitali konfirmoi se ka ardhur i vdekur?
Cilët janë arsyet që autopsia u bë para kohës së detyruar me ligj, sepse autopsia është bërë 5 orë pas vdekjes dhe jo 12 orë sipas ligjit? Dhe u bë nga një ekspert i vetëm, ndërkohë që duhej të bëhej nga një grup ekspertësh? U përdor si argument që në trupin e të ndjerit u gjet një qese plastike me kokainë, ndërkohë që për arritjen e konkluzioneve, duhet patjetër të kompletohen të gjitha analizat toksikologjike, për të vërtetuar nëse substanca ishte vërtet kokainë dhe e dyta cila ishte niveli i saj në gjak?
Duke qenë se vendngjarja ishte jo më larg se 100 metra nga spitali i Traumës, përse nuk u transportua direkt në spital për të marrë ndihmën mjekësore, por u dërgua direkt në komisariat. Si është e mundur dhe si ka mundësi që është lejuar që edhe në krevatin e spitalit, i shtruar, Lear Kurti ka qenë me pranga në duar?!”, deklaroi Meta.
Teksa solli në vëmendje disa ngjarje tronditëse të ndodhura në vendin tonë si vetëvrasja e 31-vjeçarit Ilvi Meta apo dhe vdekja e vogëlushes Joniada Avdiaj në Himarë, Meta kërkoi largimin e Ramës dhe Çuçit si dhe procedim të Ardi Veliut.
“Ishte policia e Ramës që shkaktoi vetëvrasjen e 31-vjeçarit Ilvi Meta në paraburgimin e Kavajës. Ishte policia e Ramës ajo që vrau 27-vjeçarin Enea Ftoi, babain e tre fëmijëve në Komisariatin e Korçës. Ishin policët e Ramës që i morën jetën vogëlushes Joniada Avdiaj në Himarë. Është policia e Ramës që dhunon të rinjtë e të rejat në protesta të drejta dhe legjitime, me policë të maskuar me xhupa dhe kapuç të zinj, që sillen si kriminelë dhe që nuk kursejnë as gazetarët me dhunën e tyre. Kjo situatë kriminale që ka mbështetës dhe frymëzues Edi Ramën ka vetëm një zgjidhje: Largimin e menjëhershëm të Ramës, Ministrit të Brendshëm Çuçi si përgjegjësit kryesorë të krimeve shtetërore të përsëritur. Të procedohet Ard Veliu një dhunues, mashtrues dhe manipulues i disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të policisë së Ramës”, deklaroi Meta.