Tre efektivët e Komisariatit nr. 3, të cilët u pezulluan nga detyra për tre ditë për shkak të hetimeve në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, do të vijojnë të jenë në pezullim për një afat të pacaktuar. Ky vendim do të jetë në fuqi deri në përfundim të hetimeve.

Mësohet se pezullimi është shtyrë për shkak të rrethanave dhe dëshmive të reja të administruara nga miqtë e 32-vjeçarit që e shoqëronin atë pak para ngjarjes.

Më herët Prokuroria bëri me dije se ka nisur hetimet për veprat penale “kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “Mosdhënia ndihmë”, lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit.

I riu ndërroi jetë pak pas shoqërimit në Komisariatin numër 3 të policisë.