Një kompani greke anijesh u ndoq penalisht nga Agjencia britanike e Lundrimeve dhe Rojës Bregdetare (Maritime and Coastguard Agency) për vdekjen e një prej anëtarëve të ekuipazhit të saj në një port të Norfolk, njofton portali britanik “Eastern Daily Press”.
Më 6 mars 2020, mbi 2 vite pas aksidentit, “Sky Mare Navigation Company” u gjobit me më shumë se 100,000 stërlina / paundë. Gjykata e Magjistraturës në Çelmford (Chelmsford) e deklaroi fajtore për akuzat e mosrespektimit të Rregullores të vitit 2006 mbi transportin detar tregtar dhe anije e peshkimit (operacionet e ngritjes dhe pajisjet e ngritjes).
Më 1 shkurt 2018, në portin King’s Lynn, kuzhinieri i anijes “SMN Explorer” Alfred Ismaili u shtyp për vdekje nga rënia e peshës së rëndë gjatë një operacioni ngritjeje në bord, ka njoftuar BBC. Ismaili, 36 vjeç, la gruan dhe tre fëmijë të vegjël në shtëpinë e tij në Durrës.
Kreu i gjykatës tha se nga kompania greke nuk kishte pasur ndonjë vlerësim të arsyeshëm të rrezikut, dhe se operacioni nuk ishte planifikuar siç duhet. Kishte dëshmi të një kulture të dobët të sigurisë, dëshmi të një tolerance ndaj praktikës së dobët të sigurisë dhe prova të qarta të dështimit për të marrë masat paraprake të nevojshme me pajisjet aktuale të ngritjes.
Kompania “Sky Mare Navigation” u gjobit me 120 mijë stërlina dhe u urdhërua të paguante dhe shpenzimet e plota gjyqësore prej 23 973 stërlina në pasditen e 6 marsit 2020.
Kryehetuesi detar i Agjencisë së Lundrimeve dhe Rojës Bregdetare (Maritime and Coastguard Agency), Di Apsholl (Dee Upshall) tha: “Kjo tragjedi ishte krejtësisht e shmangshme. Nëse do të ishte kryer një vlerësim i rrezikut, ose nëse Ismaili do të ishte instruktuar ose mbikëqyrur siç duhet, kjo vdekje mund të ishte parandaluar. Ne jemi të përkushtuar të ndalojmë praktikat e rrezikshme dhe t’i çojmë para përgjegjësisë fajtorët”.
Th.M.





