Ende mbetet mister arsyeja e vdekjes së çiftit shqiptar Florind Belliu dhe Ornela Shehit në New York. Media amerikane New York Post ka publikuar të tjera detaje, ku shkruan se kamerat në zonë kanë filmuar tragjedinë dhe fillimisht është parë duke rënë nga ballkoni i katit të gjashtë, 28-vjeçarja Shehi dhe më pas Belliu, të cilët gjetën vdekjen.

Belliu punonte si shofer për të përballuar kostot e jetesës. Belliu ishte i diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe ka luajtur disa role në teatër, përpara se të transferohej në SHBA. Prej dy vitesh ai po punonte për dy libra dhe një skenar filmi që ai shpresonte ta paraqiste në Netflix.

Media amerikane shkruan se policët nuk kishin marrë kurrë raportime për dhunë në familje në lidhje me çiftin. Ata u vendosën në pallatin ku ndodhi tragjedia rreth katër muaj më parë. Sipas New York Post, Belliu është raportuar njëherë i zhdukur në muajin prill, ndërsa u gjet nga policët. Sipas fqinjëve, Belliu shpesh shihej i zemëruar, ndërsa bashkëshortja e tij ishte një person i qetë.

Tragjedia u regjistrua dy ditë më parë, ku aktori Florind Belliu, 35 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Ornela Shehi, 28 vjeç, u hodhën nga pallati ku banonin, duke lënë pas dy fëmijë të mitur, 6 dhe 2 vjeç. Tragjedia ndodhi ditën e ditëlindjes së aktorit, por ende mbeten mister rrethanat dhe shkaqet që e çuan çiftin të ndërmerrnin këtë akt.

Megjithatë autoritetet po hetojnë disa pista, si për shembull vetëvrasje e dyfishtë, apo vrasje. Një burim policor tha për mediat amerikane se Belliu mund të ketë pasur probleme të shëndetit mendor, të cilat mund të kenë shkaktuar incidentin që qe fatal për të dhe gruan e tij. Sipas fqinjëve, çifti ka debatuar para se të ndodhte ngjarja.

Një status i bërë nga Florind Belliu lë dyshime mbi motivet e vetëvrasjes ose vrasjes së tij së bashku me gruan. Ai ka shkruar një mesazh për 2 çunat e tij, ku thotë se i kanë ngritur një kurth dhe se të gjithë i ka kundër. Ai thotë se nuk po gjen as gazetar për ta bërë publike e as një avokat për ta mbrojtur, por pa e specifikuar se për çfarë bëhet fjalë. Ngjarja e rëndë tronditi edhe familjarët e Belliut. Nëna dhe motra e tij shihen në vendin e ngjarjes pak pas tragjedisë, të cilat mezi e mbajnë vetën nga lajmi i trishtë.