Deputeti i PD-së, Tritan Shehu ka kërkuar të zbardhet krimi i rëndë në Dropull ku u dhunuan për vdekje çifti i të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia.
Deputeti Shehu thekson se ky krim i rëndë është jashtë logjikës njerëzore dhe se policia duhet të zbardhë ngjarjen.
“Një krim i shëmtuar në Bodrisht të Dropullit. Vriten në banesën e tyre barbarisht një çift i moshuar.
Krim tejet i rëndë, jashtë logjikës njerëzore ky. Nxis e kërkoj nga Policia e Shtetit, Prokuroria, organet e tjera të sektorit të bëjnë të gjitha përpjekjet në zbulimin e kriminelëve.
Ndoshta do të ishte e arsyeshme vendosja edhe e një çmimi prej tyre për çdo informacion të vlefshëm.
Kriminelët duhen arrestuar e dënuar, qoftë dhe për të rivendosur qetesinë në atë komunitet vlerash”, shkruan Tritan Shehu.
Kosta dhe Kleoniqi Ilia, përkatësisht 84 vjeç dhe 88 vjeçe, u gjetën të pajetë nga fqinjët në banesën e tyre në fshatin Bodrisht rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm (2 maj). Në trupin e viktimave janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore.