Nëna 39- vjeçare e cila humbi jetën në maternitetin e spitalit të Kukësit së bashku me foshnjën e saj është paraqitur në spital me diagonozën fetus i vdekur.
Drejtori i spitalit të Kukësit ka sqaruar për mediat se "pacientja me inicialet N.P, 39 vjeçe u paraqit në urgjencën e maternitetit Kukës, me dt 11.3. 2018 në gjendje të rëndë shëndetësore, me diagnozën fetus morti me laceracion dhe rupture të shprehur të uterusit".
Ai thotë se pacientja u reanimua dhe u ndërhy menjëherë në sallën e reanimacionit nga ekipi i mjekëve gjinekologe, kirurgë dhe anestezistë reanimatorë, ku bënte pjesë edhe mjeku kirurg nga Tirana, i cili po jep shërbim në spitalin e Kukësit përmes programit të bonusit.
Po sipas drejtorit të spitalit, pacientja ka tentuar disa herë në shtëpi të dëmtojë barrën për shkak të problemeve sociale dhe është paraqitur në spital në gjendje të rënduar me hemoragji të shprehur.
"Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ka vijuar gjendja e rënde e pacientes të cilës gjatë kësaj kohe i është dhënë 5 njësi gjak dhe 3 njësi plazëm por ka qenë pa puls periferik gjatë gjithë kohës," sqaron më tej drejtori i spitalit.
Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të ekipit mjekësor e sëmura ndërroi jetë në orën 01:30 të natës.





