29 gusht 2015 – Pak ditë më parë në Velipojë humbi jetën një 20-vjeçar, punëtor i një firme ndërtimi. Pas vdekjes së të riut, policia nisi edhe hetimet ndaj firmës, e nën akuzën e shkeljeve të rregullave në punë me pasojë vdekjen dhe fshehjen e të ardhurave, u arrestuan pronari dhe përgjegjësi i firmës.

Mësohet se të arrestuarit janë shtetasit, Nikolin Çersaqi, 67 vjeç, pronari i firmës, dhe Fejzi Selimi, 61 vjeç, përgjegjës i brigadës së ndërtimit të kësaj firme, të dy banues në Shkodër.

Këta persona nuk kishin marrë masat e duhura mbrojtëse në punimet ndërtuese që po kryheshin nga kjo firmë, në ndërtimin e një resorti në Velipojë.

Gjithashtu, nga hetimet e policisë rezultoi se viktima dhe punëtorët e tjerë nuk ishin të regjistruar apo të siguruar në organet përkatëse.

Pronari dhe përgjegjësi i firmës akuzohen për veprat penale “Shkelje e rregullave në punë me pasojë vdekje” dhe “Fshehje e të ardhurave”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/