DURRES, 6 tetor 2013 – Avokati i Popullit reagon pas vdekjes së Sofies, ish-qiramarrëses në banesë ish-pronarësh. Ajo e jetoi fundin e saj në kushte aspak dinjitoze dhe të mjerueshme dhe vdiq mes dhembjesh dhe të ftohtit që i kishte përshkuar kockat deri në palcë. Në një deklaratë publike thuhet se “Avokati i Popullit, konstaton me shqetësimin më të madh se plagët sociale të paralajmëruara prej tij me hyrjen në fuqi të Aktit Normativ të Qeverise nr.3 date 1.08.2012, sa vijnë dhe përkeqësohen deri edhe në akte të dëshpëruara të njerëzve të pashpresë për t’i dhënë fund jetës, sikurse ka ndodhur në gusht në Kavajë apo edhe në Durrës, në një tjetër rast, gjatë shtatorit.”
Ndërsa qeveria Berisha heshti ndaj plagës sociale që po krijonte me aktin e vet normative, zgjidhja tashmë do t’i sugjerohet Qeverisë aktuale nga Avokati i Popullit dhe konsiston në garancinë e shtetit për përfitimin e kredisë nga ana e ish-qiramarrësve, apo lëvrimi sa më i shpejtë i fondeve për ndërtimin e banesave sociale për këtë kategori, nga ana e pushtetit vendor: “Avokati i Popullit do të vazhdojë punën e tij deri në gjetjen e një zgjidhjeje reale dhe të arsyeshme edhe për keto familje, për të shmangur dhe parandaluar pasoja si vdekja e së moshuarës në qytetin e Durrësit.” Por Avokati i Popullit mesa duket nuk e di situatën reale dhe procedurën e përfitimit të banesave sociale. Sofia nuk do të mund të paguante për banesën sociale, po në gjendjen e saj pushteti vendor mund të kishte bërë dhe përjashtime. Mund t’i kishte siguruar një prej apartamenteve të lira që presin të diskutohen e miratohen në Këshillin Bashkiak në fund të tetorit dhe t’ua linte pa asnjë lloj detyrimi financiar deri në gjallje të saj dhe nipit 64 vjeçar.
/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





