PRISHTINE – Bashkëshortja dhe dy vajzat e zyrtarit për informim në Qeverinë e Kosovës, Hamdi Sopa, janë të dyshuarat e vetme lidhur me vdekjen e tij. 

Pistat e hetimit kanë zgjeruar dyshimet duke marrë parasysh provat që janë gjetur në banesën e të ndjerit Hamdi Sopës. Ky i fundit ka rënë nga kati i nëntë i ballkonit të shtëpisë, të martën pasdite. Por, para se të hidhej, ai kishte marrë në trup tri goditje me thikë në pjesën e përparme të trupit. 

Sipas gazetave në Kosovë, hetuesit kanë gjetur thikën nën lavatriçe në tualet dhe gjurmët e gjakut ku ka ecur i ndjeri. 

Ndërkaq bashkëshortja dhe dy vajzat kanë deklaruar gjatë marrjes në pyetje, se kryefamiljari është vetëvrarë duke u hedhur nga ballkoni.

Hetuesit dyshojnë që ai është goditur me thikë në tualet, e më pas ai ka ecur nëpër korridor dhe ka përfunduar në ballkonin e banesës prej nga është hedhur. Gjatë rrugës që ka përshkuar në banesë janë gjetur shenja gjaku. 

Përveç tri goditjeve në pjesën e përparme të trupit, të cilat sipas raporteve të para të ekzaminimit, nuk kanë qenë vdekjeprurëse, hetimet kanë treguar se i ndjeri Sopa ka pasur edhe një prerje të vogël në shuplakën e dorës.