Një shtetase amerikane, e moshës 54-vjeçare ka humbur jetën të martën pas një orteku të papritur të borës në zonën e njohur si “Foleja e Shqiponjës”.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 15:35 në qendrën e skijimit në Brezovicë. Bashkëshorti i 54-vjeçares, një shtetas britanik i cili po skijonte së bashku me viktimën, njoftoi autoritetet se trupi i saj mund të ishte zënë nga orteku i borës.
“Qendra e Skijimit, Brezovicë 13.02.2024 – 15:35. Një femër shtetase amerikane është gjetur nga ekipet e kërkim-shpëtimit pa shenja jete në vendin e quajtur ‘Foleja e Shqiponjës’. Viktima sipas bashkëshortit të saj (shtetas britanik), me të cilin ishin duke skijuar bashkë, dyshohet se është zënë nga orteku i borës”, thuhet në raport.
Pas kërkimeve, Policia ka mundur të gjejë trupin e pajetë të viktimës, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.
Vlen të theksohet se, për shpëtimin e turistes amerikane ishin mobilizuar ekipe të shumta të specializuara, por që për fat të keq shtetasja amerikane nuk iu mbijetoi plagëve të marra.
Deni Hameli nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës në një adresim për mediat theksoi se rreth orës 15:20 kemi pranuar një thirrje për ndihmë nga Patrulla e skijimit në Brezovicë, për një aksident orteku.
“Koha ka qenë me mjegull dhe dukshmëria ka qenë shumë e ulët. Ka qenë shumë e vështirë të lokalizohet vendi i aksidentit. Pas disa përpjekjeve kemi konstatuar se aksidenti ka ndodhur të vendi i quajtur ‘Vendi i Shqiponjave’. Pas një kërkimi të shkurtër është lokalizuar trupi, por për fat të keq për shkak të traumave nga orteku, një shtetase e huaj ka ndërruar jetë”- ka deklaruar Hameli, raporton Telegrafi.
“Keni kujdes nga lëvizni pasi një lëvizje juaj shumë e vogël jashtë shtegut të skijimit mund të jetë e rrezikshme për jetën tuaj. Andaj lëvizni vetëm nëpër shtigje të skijimit. Shtigjet janë të sigurta dhe Brezoviza poashtu është e sigurt”, shtoi tutje pjesëtari nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.