Janë rindezur tensionet në Bregun Perëndimorë, ku banorë të qytetit Marda thonë se kolonë izraelitë i vunë zjarrin dhe vandalizuan një xhami, duke shkruar ofendime dhe parulla kërcënuese me bojë në muret e saj.

Një person i maskuar dhe me kapelë është parë duke lyer me bojë muret e xhamisë. Të paktën dy të tjerë iu bashkuan atij. Ndër mesazhet e shkruara në mur ishte “vdekje arabëve” si dhe një citat nga libri i Psalmeve të Biblës Hebraike. Kreu i këshillit të fshatit Marda, Nasfat al-Khufash e quajti këtë një sulm terrorist sistematik.

Jo vetëm që e dogjën xhaminë, por edhe e treguan racizmin e tyre me sloganet e shkruara aty: “Vdekje arabëve”, “Në vend të xhamisë këtu, do të ngremë një sinagogë. Këto sulme janë të vazhdueshme dhe sistematike nga grupet e kolonëve.“-u shpreh Nasrat Khufash, kryetar i Këshillit të fshatit.

Policia izraelite dhe agjencia izraelite e sigurisë Shin Bet thanë në një deklaratë të përbashkët: “Ne e shohim këtë incident si jashtëzakonisht të rëndë dhe do të veprojmë me vendosmëri për të sjellë autorët para drejtësisë për një gjykim sa më të ashpër”.

Dhuna në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli është intensifikuar që nga fillimi i luftës në Gaza më 7 tetor të vitit të kaluar pas sulmit të Hamasit në tokën hebreje.

Që nga fillimi i luftës, të paktën 803 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor nga forcat ose kolonët izraelitë, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë.