9 tetor 2015 – Gjendet e vdekur një emigrante shqiptare 21-vjeçare në Greqi, në rrethana që janë ende misterioze.
Maria Dalani, me origjinë nga Korça, u gjet e pajetë mbrëmjen e së hënës në pjesën e pasme të pallatit ku banonte me nënën dhe njerkun në Athinë.
Sipas policisë greke, viktima kishte rënë nga kati i katërt i ndërtesës.
“Vdekja e Marias nuk ishte e menjëhershme. Instinkti i mbijetesës bëri që ajo të zvarritej deri te një shkallë, por pa ia dalë dot. Trupi i saj mbeti në një vend jo shumë të dukshëm për kalimtarët dhe banorët”, u shpreh një burim policor. Policia greke nuk përjashton pistën e mundshme të vetëvrasjes, pasi sipas efektivëve, 21-vjeçarja dyshohet të jetë zhgënjyer nga një lidhje dashurie dhe të jetë vetëvrarë.
Por, ngjarja ka marrë rrjedhë tjetër pas dëshmisë tronditëse të një prej shoqeve të viktimës, e cila ka thënë se Maria mund të jetë shtyrë nga dikush, duke dyshuar te njerku i shoqes, dhe më pas ka rënë nga pallati.
“Ajo dhunohej nga njerku i saj. Çfarë lloj dhune nuk e di, por ajo zihej shumë. Madje, kohët e fundit donte të kthehej në Shqipëri, duke lënë të kuptohej se nuk shkonte mirë në Greqi”.
Nga ana tjetër, njerku i quajtur Marko, u shpreh: “Vajza ime nuk kishte arsye të vetëvritej, nuk i mungonte asgjë. Nuk besoj se vajza ime është vetëvrarë. Besoj se ishte zhgënjyer nga i dashuri i saj. Unë kërkoj drejtësi. Kam kërkuar zbardhje të tabulateve telefonike për të parë se me kë ka folur herën e fundit. Të zbardhet e vërteta dhe të shkojnë vrasësit në burg”.
/portali DurresLajm/