Itali, 27 qershor 2014 – Krahas stereotipit racist të shqiptarëve në Itali si hajdut, trafikant droge apo tutor prostitutash, në mediat italiane prej dy ditësh po trajtohet historia e një emigranti të ndershëm shqiptar, që ndonëse në prag të pensionit, punonte në ndërtim. Sulejman Zeneli, 63 vjeç humbi jetën në një aksident në punë. Ai po punonte për rikonstruksionin e një ndërtese sekrete në shërbim të Ministrisë së Punëve të Brendshme italiane në Piazza Dante në Romë. I ndjeri Zeneli ra nga 18 metra lartësi, ndërsa po hidhte një shtresë çimentoje. Prokuroria italiane po heton firmën fituese të tenderit të Ministrisë së Brendshme italiane, sepse ka dyshime që në kantier mungonin masat e duhura të sigurimit teknik.

Kryetari i sindikatës më të madhe italiane CGIL për rajonin e Lazios, Mario Guerci akuzon Ministrinë e Brendshme, që duke përdorur klauzolën e sekretit shtetëror i ka penguar nëpunësit e sindikatës të inspektojnë kantierin përsa i përket zbatimit të masave të sigurimit teknik në punë. Z. Guerci për vdekjen aksidentale të Zenelit bën përgjegjës si firmën, që po kryente punimet, ashtu edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme Italiane.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/