Charles Manson, lider i një kulti, i kthyer në simbol të djallit në tokë, vdiq në moshën 83-vjeçare, një javë pasi ishte shtruar në spital.

Lajmi u konfirmua nga Debra Tate, motra e një prej viktimave më të famshme të Mansonit.

Manson vdiq nga shkaqe natyrale. 83-vjeçari ishte në burg që prej vitit 1969, pasi urdhëroi anëtarët e kultit të tij- të cilët i quante ‘familja’- që të nisnin një seri vrasjesh.

Tre prej ndjekëseve të tij, Susan Atkins, Patricia Krenwinkle dhe Leslie Van Houten, vranë shtatë persona: Aktoren shtatzënë Sharon Tate, Abigail Folger, Wojciech Frykowski, Leno dhe Rosemary LaBianca, Steven Parent dhe Jay Sebring.

Viktimat u vranë kryesisht në lagje të bardhësh në Los Angeles. Qëllimi ishte që për këto krime të fajësoheshin afro-amerikanët, me shpresën se kjo do ndizte një luftë racash, të cilën Manson e quante “Helter Skelter”.

Manson u dënua më vonë edhe për vrasjen e muzikantit Gary Hinman dhe kaskadorit Donald Shea. Gjatë gjyqit, ai u dënua për drejtimin e një kulti, ku të rinjtë e pakënaqur ndiqnin urdhrat e tij dhe ktheheshin në vrasës.

Gjatë kohës që ishte në burg, Manson ishte shënjestër e të burgosurve të tjerë- në një rast i hodhën benzinë dhe i vunë flakën. Me një kryq nazist në ballë, Manson ishte kthyer në simbol të djallit në tokë.

“Ndoshta duhej të kisha vrarë 500 persona, kështu do i kisha ofruar shoqërisë diçka,” pati thënë ai.

Ai e kaloi fëmijërinë në qendra riedukimi pasi akuzohej për vjedhje të vogla.

Manson vetë ishte një aksident, i lindur nga një prostitutë 16-vjeçare.

Pasi e dënuan dhjetë vite me burg për vjedhje, ai u kërkoi autoriteteve që të mos e lirojnë, pasi e konsideronte burgun si shtëpi.

Manson u dënua me vdekje, por iu konvertua në 9 dënime të përjetshme pasi Kalifornia rrëzoi dënimin me vdekje.