FUSHE KRUJE – Megjithë ndihmën e marrë në spital, shtetasi Roland Bisha që u aksidentua mesditën e sotme bashkë me dy persona të tjerë ka humbur jetën. Më herët policia pati njoftuar se një aksident me 3 të plagosur ishte regjistruar mesditën e së martës në fshatin Larushk, në Fushë – Krujë. Dy automjete tip Benz me targa SH 69 34 D dhe tjetri me targa italiane BR 696, i drejtuar nga një 17 vjeçar u përfshinë në një aksident automobilistik.
Si pasojë e përplasjes mbetën të plagosur të gjithë personat që ndodheshin në makinën me targa shqiptare. Shtetasi Roland Bisha ishte personi që mori dëmtimet më të rënda dhe për pasojë ka humbur jetën gjatë pasdites. Burime spitalore bëjnë të ditur se Bisha kishte fraktura të shumta dhe për pasojë nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë dy pasagjerët Lorenc dhe Alban Neli, përkatësisht 35 dhe 32 vjeç nga Burreli kanë pësuar dëmtime të lehta.
Pas mbërritjes në vendngjarje efektivët e policisë së Krujës kanë shoqëruar për në komisariat 17 vjeçarin A. Baku, nga fshati Luz, Krujë, i cili drejtonte mjetin me targa italiane. Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit.





