Ende nuk ka përfunduar raporti i Mjekësisë Ligjore që do të qartësojë vdekjen e mësueses 27-vjeçare nga Gjilani, e cila ndërroi jetë më 3 mars 2016, pak orë pasi lindi beben e saj në spitalin e Gjilanit. Prokuroria po e cilëson vdekjen si të dyshimtë dhe po heton për neglizhencë mjekësore.
Ajo nuk ka arritur të shohë as edhe një herë fytyrën e foshnjës që solli në jetë. 27-vjeçarja nga Gjilani, ka ndërruar jetë vetëm pak orë pasi lindi beben e saj të gjinisë mashkull, në Spitalin e Gjinekologjisë në Gjilan.
Prokuroria në Gjilan këtë vdekje e ka cilësuar të dyshimtë vdekjen e mësueses Arbenita Spahiu, duke urdhëruar kryerjen e obduksionit. Dyshimet e Prokurorisë bazohen në faktin se gruaja ndërroi jetë si pasojë e një gjakderdhjeje që nuk u lokalizua edhe si rezultat i neglizhencës mjekësore.
Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë në Gjilan, ka thënë për “Zërin” se Prokuroria, bazuar në dyshimet fillestare, ka urdhëruar kryerjen e obduksionit.





