Një nga drejtuesit më famëkeqë të organizatës mafioze “Cosa Nostra” gjatë viteve ’50 e në vazhdim, Bernardo Provenzano, i njohur ndryshe edhe me nofkën “Binnu”, është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në Burgun e Milanos, në moshën 83-vjeçare, pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

Provenzano ishte krahu i djathtë i bosit mafioz “korleonez”, Salvatore Riina, dhe pas arrestimit të tij në vitin 1993, ai mori drejtimin e “Cosa Nostra”-s.

Veç krimeve të shumta të kryera prej tij, apo me urdhër të tij, Provenzano u bë i njohur edhe për faktin se arriti të qëndrojë në arrati për plot 43 vite. I shpallur në kërkim në vitin 1963, ai u arrestua vetëm më 11 prill të vitit 2006, pasi ndaj tij ishin dhënë informacione se gjendej në një banesë në fshatin e tij të lindjes, Korleone.

Mbi të rënduan akuzat e mbi 20 vrasjeve, kryesisht të policëve, gjyqtarëve, por edhe të rivalëve. Por ato më të bujshmet ishin “Masakra e Kapacit” e 23 majit 1992, ku humbi jetën prokurori i Antimafias Giovanni Falcone, si dhe masakra e rrugës “D’Amelio”, ku 27 ditë më pas, po me anë të një shpërthimi të telekomanduar, u vra edhe bashkëpunëtori më i afërt i Falcones, prokurori Paolo Borselino.

Të dy këta i kishin shpallur luftë të hapur mafies, duke zhvilluar edhe procesin më të famshëm gjyqësor ndaj bosëve të “Mafias siçiliane”, të njohur si “Maxi Proceso”, ku ishin të pandehur 470 persona.