Tatiana Schlossberg, mbesa e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy, ndërroi jetë në moshën 35-vjeçare, njoftoi familja e saj përmes Fondacionit të Bibliotekës Kennedy.
“Tatiana jonë e bukur ndërroi jetë këtë mëngjes. Ajo do të jetë gjithmonë në zemrat tona,” thuhet në njoftim.
Schlossberg, gazetare e njohur për raportimet mbi ndryshimet klimatike, kishte bërë publike në nëntor diagnozën me një formë agresive të kancerit, duke treguar se mjekët i kishin dhënë më pak se një vit jetë. Në një ese të botuar muajin e kaluar në The New Yorker me titull “Një betejë me gjakun tim”, ajo zbuloi se ishte diagnostikuar me leuçemi akute mieloide në maj të vitit 2024, pas lindjes së fëmijës së saj të dytë.
“Mendimi im i parë ishte se fëmijët e mi, fytyrat e të cilëve jetojnë përgjithmonë në brendësi të qepallave të mia, nuk do të më kujtonin,” shkroi Schlossberg. Ajo përshkroi trajtimet që mori, duke përfshirë kimioterapinë dhe transplantin e palcës së kockave, dhe theksoi se prognoza ishte e rëndë.
Sipas “BBC’, Tatiana ishte vajza e stilistit Edwin Schlossberg dhe diplomates Caroline Kennedy, dhe pjesë e një familjeje që ka përjetuar tragjedi të shumta: gjyshi i saj, presidenti John F. Kennedy, u vra në 1963, ndërsa xhaxhai i saj, John F. Kennedy Jr., vdiq në një aksident ajror në 1999.
Në esenë e saj, Tatiana shprehu edhe shqetësime mbi emërimin e të afërmit të saj, Robert F. Kennedy Jr., si udhëheqës i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
Miqtë dhe të afërmit kanë reaguar me homazhe për jetën e saj. Maria Shriver, gazetare dhe ish-zonjë e parë e Kalifornisë, e përshkroi Schlossberg si “të guximshme, të fortë dhe të dashur” dhe përmendi kontributin e saj si gazetare.
“Tatiana përdori fjalët e saj për të edukuar të tjerët mbi planetin dhe si ta mbrojnë atë” thanë ata.
Schlossberg ishte autore e librit Konsumi i Padukshëm: Ndikimi Mjedisor që Nuk e Di se Ke dhe kontribuoi me artikuj për New York Times dhe projekte të tjera mbi energjinë dhe ndryshimet klimatike. Ajo shpesh theksonte rëndësinë e historisë së klimës si një çështje globale që lidhet me shkencën, politikën, shëndetin dhe biznesin.
Familja e saj theksoi rëndësinë e trashëgimisë së saj dhe kontributit të saj profesional dhe personal, duke u shprehur se do të kujtohet gjithmonë për guximin dhe përkushtimin ndaj familjes dhe botës.





