Familja e aktorit Robert Carradine njoftoi sot më 24 shkurt e martë ndarjen nga jeta të 71-vjeçarit, i njohur më së shumti për rolet e tij në filmat Revenge of the Nerds dhe serialin televiziv Lizzie McGuire. Carradine luftoi gjatë me çrregullimin bipolar.

Familja e tij përmes një deklarate sqaron dhe lajmin e trishtë. “Me trishtim të thellë duhet të ndajmë lajmin për ndarjen nga jeta të të dashurit tonë, babait, gjyshit, xhaxhait dhe vëllait, Robert Carradine. Në një botë që shpesh duket e errët, Bobby gjithmonë ishte një dritë për të gjithë rreth tij. Na mungon thellë ky shpirt i bukur, dhe dëshirojmë të vlerësojmë luftën e tij të guximshme për afro dy dekada me çrregullimin bipolar. Shpresojmë që udhëtimi i tij të frymëzojë dhe të nxisë diskutimin mbi shëndetin mendor, pa stigmatizim. Në këtë moment kërkojmë privatësinë për të vajtuar këtë humbje të jashtëzakonshme. Me mirënjohje për mirëkuptimin dhe dhembshurinë tuaj”, thuhet në njoftimin e familjes.

Robert Carradine ishte djali më i vogël i aktorit legjendar John Carradine dhe karriera e tij u drejtua drejt aktrimit nga vëllai i tij, David Carradine. Vëllai i tij tjetër, Keith Carradine, e përshkroi Robertin si shtyllën e familjes dhe vlerësoi guximin e tij në betejën me sëmundjen.

“Ishte një sëmundje që e mundi, por ne e festojmë për luftën e tij dhe shpirtin e tij të bukur. Ai ishte jashtëzakonisht i talentuar dhe do të na mungojë çdo ditë. Ngushëllohemi nga humori i tij, urtësia dhe toleranca që gjithmonë tregonte. Ky ishte vëllai im i vogël”, u shpreh ai.

Karriera e Robert Carradine filloi në vitin 1972, me një rol pranë John Wayne në filmin The Cowboys. Ai gjithashtu luajti në filmin që fitoi Oscarin nga Hal Ashby, Coming Home, së bashku me Jane Fonda dhe Jon Voight. Një moment i veçantë në karrierën e tij ishte edhe filmi The Long Riders, ku luajti së bashku me vëllezërit David dhe Keith si një trio vëllezërish të jashtëligjshëm.

Përveç aktrimit, Robert ishte edhe muzikant i talentuar. Ai luante kitarë pa pasur ndonjë trajnim formal dhe shpesh performonte muzikë me vëllezërit e tij. Në fund të viteve 1980, formoi grupin muzikor The Waybacks së bashku me Mare Winningham. Përveç pasionit për artin, Robert ishte edhe shofer profesionist garash automobilistike, duke garuar në nivelin e Grand Prix.

Aktori lë pas tre fëmijë: Ever — aktore gjithashtu, Marika dhe Ian — dhe tre mbesa e nipër.