Një grua shtatzënë, 31 vjeçe, ka ndërruar jetë pasditen e djeshme në repartin e Mjekimit Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas mjekut Shaqir Uka, e ndjera kishte përjetuar komplikime të rënda gjatë shtatzënisë dhe gjithashtu gjatë lindjes, të cilat rezultuan fatale për të.

“Përkundër përpjekjeve të shumta të ekipit mjekësor, pacientja nuk arriti t’i mbijetojë komplikimeve të rënda që i kishte hasur gjatë kësaj periudhe,” deklaroi ai.

Gruaja ishte pranuar në Mjekimin Intensiv më 20 gusht, ku kishte marrë trajtim intensiv për ditë me radhë. Fatkeqësisht, gjendja e saj nuk kishte shënuar përmirësim dhe ajo ndërroi jetë.

Tragjikisht, pak ditë më parë, ajo kishte humbur edhe foshnjën e saj, e cila nuk kishte mundur të mbijetojë pas lindjes.